Connect with us

Futboll

Real mposht United, fiton Superkupën dhe kap Milan-in

Real Madrid ka vuajtur në fund, por ka arritur të pasurojë koleksionin prestigjioz me trofeun e radhës. “Los Blancos” kanë mundur me rezultatin 2-1 Manchester United e Jose Mourinho-s, por fitorja e ekipit të Zidane mund të kishte qenë më e thellë nëse spanjollët do të ishin treguar më të saktë para portës.

Ndeshja ka qenë e luftuar dhe e barabartë deri në minutën e 24-t, kur Casemiro ka zhbllokuar takimin me një goditje të bukur fluturimthi pas pasimin perfekt të marrë nga Carvajal. Pak minuta më parë mesfushori brazilian kishte tronditur traversën e United me një goditje të fuqishme me kokë. Pas këtij momenti, “Los Blancos” kanë kontrolluar takimin, teksa përqindja e zotërimit të topit ka qenq 60 me 40 në favor të spanjollëve në 45 minutat e para. Dominim ky që ka vazhduar edhe në pjesën e dytë dhe që në minutën e 52-të ka sjellë golin e dytë të Real Madrid, që ka mbyllur ndeshjen me Isco.

United ka pasur një rast të artë për të hapur takimin dy minuta më vonë, por Pogba në fillim dhe Lukak më pas nuk janë treguar të saktë para Navas. Në të 61-ën madrilenët mund të kishin mbyllur takimin duke realizuar golin e tretë, por goditja e fuqishme e Bale është ndalur nga traversa. Një minutë më vonë është verifikuar rregulli i pashkruar i futbollit “gol i humbur, gol i pësuar” me Romelu Lukaku që ka ngushtuar diferencat. Belgu ka qenë në vendin e duhur në momentin e duhur dhe ka dërguar topin në rrjetë një metër larg portës. Një gol ky që i ka dhënë zemër lojtarëve të Mourinho-s, por Real ka vazhduar të kontrollojë ndeshjen, për sa i takon kontrollit të topit. Nëntë minuta para fundit Navas i ka mohuar golin e barazimit të riut Marcus Rashford, duke devijuar topin në goditje nga këndi.

Në minutën e 83-të Zidane ka aktivizuar edhe Cristiano Ronaldo, i cili ka marrë vendin e Karim Benzema. Rezultati 2-1 nuk ka ndryshuar deri në fund, pavarësisht shtatë minutave shtesë të dhëna nga arbitri italian Rocchi pas “time out”-it të marrë nga ekipet në pjesën e parë për shkak të temperaturave të larta. Real Madrid është bërë skuadra e dytë, pas Milan në sezonet 1988-89 dhe 1989-90, që ka fituar dy herë radhazi Superkupën e Europës.

Më shumë nga Futboll