Champions League

Real-Tottenham, luftë e mbyllur me paqe; Borussia dështon sërish

Me dy skuadra të mëdha nuk mund të bësh kurrë parashikime. Ky ishte edhe rasti i ndeshjes Real Madrid-Tottenham në Champions League, e mbyllur në barazim 1-1.

E gjithë bota priste goleadën e radhës nga madrilenët në “Santiago Bernabeu”, por nuk ndodhi kështu. Anglezët rezultuan një makineri e pashtershme në fushë, duke bërë presing deri në sekondat e fundit të takimit, me gjithë freskinë e zëvendësuesve të trajnerit Zinedine Zidane.

Në pjesën e parë shënuan të parët miqtë (28′). Mbrojtësi Raphael Varane, në përpjekje për të mbrojtur portën nga Harry Kane gjatë një krosi të rrezikshëm nga e majta e tij, përfundoi duke shënuar autogol. Zidane nuk u besonte syve!

“Los Blancos” nuk vonuan për të reaguar. Në të 43′ Toni Kroos fitoi një penallti, të cilën e ktheu në gol me lehtësi ylli i kampionëve të Evropës, Cristiano Ronaldo. Në pjesën e dytë priteshin gola të tjerë, por skuadrat “ngelën thatë”. Madrilenët patën më shumë raste, por Karim Benzema “mendoi” për t’i prishur.

Kreu i grupit H tashmë vazhdon të ndahet nga këto skuadra, secila me nga 7 pikë pas tri ndeshjesh. Borussia Dortmund, ndërkohë, zhgënjeu në Nikozi, aty ku u ndal 1-1 nga APOEL-i. Gjermanët këtë sezon janë një dështim i madh në Champions League. Kalimi i grupit për ta nuk është më as ëndërr.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga Champions League