Formula 1

Red Bull trondit Formula 1: Do të tërhiqemi!

Makina Red Bull është gati të largohet nga Formula 1 nëse brenda vitit 2021 pronarët e rinj nuk do të adaptojnë një zgjidhje të re për shpërndarjen e motorëve te skuadrat që nuk arrijnë të kenë një markë të tyre. Këtë lajm e ka konfirmuar sot një nga drejtuesit e makinës austriake, Helmut Marko, që ka thënë se projekti i paraqitur është ende në ajër dhe asgjë konkrete nuk është bërë në këtë drejtim. Siç dihet, të favorizuara nga situata aktuale janë Mercedes dhe Ferrari, që i prodhojnë vetë motorët e tyre, ndërsa skuadrat e tjera, përfshi edhe Red Bull, detyrohen t’i blejnë shtrenjtë ato.

Helmut Marko, nje nga drejtuesit e Red Bull me pilotin Max Verstappen

Viti 2021 është afati i fundit për të lejuar futjen në Botëror të një furnitori të pavarur, jashtë nga bota e Formula 1. Është një hap i nevojshëm, madje i detyrueshëm për t’u bërë. Motorët duhet të jenë më të thjeshtë dhe të kushtojnë më pak se 10 milionë euro”, tha Helmut Marko, që shtoi se ekzistojnë mjaft zgjidhje. “Janë të shumta kompanitë që prodhojnë motorë që duan të hyjnë në Formula 1. Ndaj presim nga pronarët e rinj që të gjejnë një zgjidhje deri në fund të këtij sezoni. Nëse jo, atëherë prania jonë në Formula 1 në të ardhmen nuk është e garantuar”, tha Helmut Marko.

Më shumë nga Formula 1