Kampionati Shqiptar

Rekord i ri, Skënderbeu kushton 7.5 milion euro, 15 lojtarëve të tij u rritet çmimi

Ekipi i Skënderbeut ka vendosur një rekord të ri në vlerën e tij si klub. Vetëm një ditë pas fitores me  skuadrën e Dinamos së Kievit, në ndeshjen e pestë të Grupit B të Europa League, klubi korçar vlerësohet me shifrën e 7.5 milion eurove aktualisht nga 6.3 që ishte vetëm pak javë më parë.

Këtë vlerësim e ka bërë sajti i njohur i transferimeve në botën e futbollit,  “transfermarkat”. Ky vlerësim vjen menjëherë pas fitores të së enjtes në Elbasan, ku Skënderbeu dominoi dhe fitoi ndeshjen me shifrat 3-2 ndaj skuadrës ukrainase. Ajo që vlen të theksohet është fakti se 15-të lojtarë të Skënderbeut kanë pasur rritje të vlerës së kartonit të tyre.

Autori i golit të parë, në fitoren 3-2 ndaj Dinamos së Kievit, mesfushori Sabien Lilaj është dhe lojtari më i shtrenjtë i momentit te Skënderbeu. Ai është vlerësuar me vlerën e 625 mijë eurove aktualisht nga 500 mijë euro që kushtonte vetëm pak javë më parë.

Rritje të vlerës së kartonit kanë pasur dhe lojtarë të tjerë të Skënderbeut si: Mbrojtësi Bajram Jashanica që vlerësohet 520 mijë euro, Gledi Mici dhe Bruno Dita vlerësohen me nga 425 mijë euro, Afrim Taku dhe Fidan Aliti vlerësohen me nga 400 mijë euro. Sulmuesi i ardhur në formë huazimi nga Kievo, Ali Sowe ka pasur dhe rritjen më të madhe të kartonit.

Shtatlarti i golit të tretë për Skënderbeun kundër Dinamos së Kievit, vlerësohet aktualisht me 550 mijë euro nga 325 mijë që ishte më parë, pra rreth 225 mijë euro më shumë se vetëm disa javë më parë. Ekipi i presidentit Ardian Takaj lë pas ekipin e Partizanit, që vetëm pak javë më parë vlerësohej si klubi më i shtrenjtë shqiptar me shifrën e 6.6 milion eurove.

Ekipi i presidentit Gazmend Demi tashmë ka pësuar rënie të vlerës së tij, ku nga 6.6 shkon në vlerën e 5.98 milion eurove. Partizani ndiqet nga Kukësi, që ka një vlerë totale prej 5.58 milion eurove.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar