Kombëtarja

Renditja e FIFA-s, Shqipëria ruan vendin e 63-të

FIFA ka publikuar sot renditjen mujore të kombëtareve për muajin gusht 2017. Kuqezinjtë e drejtuar tashmë nga Cristiano Panucci e jo nga De Biazi, edhe pse nuk ka debutuar ende, kanë ruajtur të njëjtin pozicion si muajin e kaluar. Ata janë në vendin e 63-të, në kuotën e 583 pikëve. Në periudhën mes dy muajve Shqipëria nuk ka luajtur ndonjë ndeshje, ndërsa sfidën e radhës kualifikuese për “Rusia 2018” e ka të programuar më 2 shtator, në “Elbasan Arena”, kundër Lihtenshtejnit, ndërsa pas 4 ditëve udhëton drejt Maqedonisë, për të luajtur ndaj fqinjëve tanë.

Kujtojmë se kulmin e kulmeve në këtë renditje, Shqipëria e pati në muajin gusht 2015, vendin e 22-të në FIFA. Një rekord historik në ranglistën e kombëtareve të gjithë botës. Sa për histori, vendi i 84-t ka qenë pozicioni më i keq, që ka pasur kombëtarja shqiptare nën drejtimin e Xhani De Biazit. Këtë pozicionim kuqezinjtë e kanë pasur në muajt prill, maj, tetor dhe nëntor 2012.

Më shumë nga Kombëtarja