Futboll

Rey Manaj: “Kaos te Inter? Mashtrim i atyre që pështyjnë aty ku hajnë!”

“Është një klub i madh dhe unë do të rikthehem atje si futbollist i madh”. Tingëllon si një premtim ai i sulmuesit shqiptar Rey Manaj, që vazhdon të mbetet në pronësi të skuadrës zikaltër të Inter, edhe pse është huazuar te Granada. Futbollisti i përfaqësueses së Shqipërisë ka dhënë një intervistë të gjatë për “Fcinternews.it”, ku flet edhe për eksperiencën e tij aktuale, madje me nota pozitive: “Si ndihem? Vërtetë mirë, është një skuadër e rëndësishme dhe më këshilluan me insistim që të vija. Ndoqa këshillat dhe pranova me kënaqësi këtë destinacion”.

Rezultate imazhesh për manaj gattuso

Eksperienca te Pisa me Gattuso, trajneri në një deklarata kishte akuzuar se mendoni më shumë për veten…

“Çdo njeri mendon në mënyrën e tij dhe thotë gjërat sikurse i mendon më mirë. Personalisht nuk kam asnjë marrëdhënie negative me trajnerin, dhe jam i bindur se mediat kanë fryrë shumë këtë çështje. Pastaj, nëse Pisa bie nga kategoria, nuk ishte absolutisht vetëm për fajin tim. Edhe pse kur unë arrita atje, ishin që në atë kohë në një pozicion kritik në klasifikim. Padyshim që edhe unë kam një pjesë të përgjegjësisë, sepse unë vlej një, sikurse dhe të tjerët”.

Gattuso pat thënë gjithashtu: “Kush nuk mendon për grupin, të shkojë të luaj në park…”

“Besoj se nëse do të kishim patur ndonjë pikë më shumë në klasifikim, nuk do ta kishte thënë kurrë atë gjë. Sigurisht që ka ndikuar nervozizmi i momentit, mbase edhe nga ndonjë gjë që kishte ndodhur gjatë javës. Është e sigurtë që unë nuk mendoj vetëm për veten time, do të ishte absurd. Bendo sikur në një klub me 25 futbollistë të bënin të gjithë kështu, se çfarë do të ndodhte. Objektivat arrihen në grup, të gjithë bashkë. Eksperiencën te Pisa e konsideroj pozitive, sepse janë të gjithë njerëz të shkëlqyer. Që nga tifozët, te profesionistët që punojnë në klub deri te familja e presidentit Corrado. Kanë treguar gjithmonë ngrohtësinë maksimale ndaj meje”.

Etiketa e “cunit të keq”…?

“Nuk më intereson fare ajo që thonë të tjerët, janë idjotësira, që njerëzit i shkruajnë duke rënë në nivele të ulëta, duke u bazuar në gjëra të vogla, ose të treguara nga ata që ndjejnë xhelozi. Pjesa më e madhe e njerëzve me të cilët kam punuar nuk e mendojnë ashtu. Ndonjë sjellje mund të japë bezdisje, por nuk kam shfaqur kurrë mungesë respekti ndaj askujt. Por kjo është jeta dhe nuk duhet të mbetesh peng i atyre që thonë të tjerët, sidomos kur nuk korespondon me realitetin”.

Rigjetja e Gattusos në Milano, një shans për hakmarrje personale…?

“Hakmarrjen nuk kam pse e marr ndaj Gattuso. Objektivi, si në çdo derby është të mundësh Milan-in”.

Kapitulli Inter…?

“E ndjek shumë, bëj tifo për Inter që kur isha i vogël dhe ndjek me pasion gjithçka që i ndodh. Nuk e mohoj se kur humbet, ndjej trishtim, sepse është skuadra ime e zemrës”.

Momentet e errëta dhe vështirësia që has kjo skuadër për të dalë…?

“Të luash tek Inter nuk është e lehtë, ka një diferencë të madh në krahasim me çdo skuadër tjetër. Ka një histori që flet vetë, dhe futbollistët kanë detyrën që të mbrojnë traditën zikaltër. Kërkojnë gjithmonë që të japin maksimumin për çështjen, por ndonjëherë presionet përpunohen jo në mënyrën e duhur dhe kjo nuk i lejon futbollistëve që të luajnë me qetësi. Kontigjenti aktual ka futbollistë vërtetë të fortë. Unë shpresoj shumë dhe uroj që të arrijë zonën e Champions League”.

Disa ish-futbollistë dhe trajnerë pretendojnë se te Inter ekziston një ambient në kaos. A është e vërtetë?

“Jo, nuk jam aspak dakord. Sezonin që kalova te Inter, u ndjeva ekstremisht mirë, nga Appiano, te stafi dhe klubi”.

Çfarë mendon për futbollistët, kartoni i të cilëve vazhdon të jetë i Inter dhe që flasin keq për klubin zikaltër?

“Mendoj se pështyjnë në pjatën ku kanë ngrënë, mbase edhe vetëm një ditë përpara. Kushdo që i thotë këto gjëra, e bën sepse nuk është në lartësinë e një klubi kaq të rëndësishëm”.

Si e imagjinon rikthim te Inter?

“Unë dua të rikthehem në ‘San Siro’ si futbollist i afirmuar. Inter është një klub i madh dhe unë dua të rikthehem si futbollist i madh. Dhe për të dëshmuar se mund t’ja dal, zgjodha që të luaj tjetërkund, në një realitet më të vogël, ku mund të gjej vijimësinë. Është një vendim që jo të gjithë do ta kishin marrë”.

 

Më shumë nga Futboll