Bundesliga

Ribery reagon pas akuzave: Disa tifozë nuk dinë asgjë!

Ribery reagon pas akuzave: Disa tifozë nuk dinë asgjë!

Franck Ribery dje i mërziti tifozët e Bayern-it. Gjatë ndeshjes me Anderlecht-in, ndaj të cilit skuadra bavareze fitoi 3-0 në Champions League, mesfushori hodhi fanellën përtokë në çastin e zëvendësimit. I pyetur pas ndeshjes se pse ndodhi kjo, trajneri Carlo Ancelotti u shpreh: “Pyesni Franck-un!” Veterani sot ka reaguar vetë me një postim në rrjetet sociale, ku thekson se hedhja e fanellës nuk ka lidhje me respektin e tij për klubin.

“Kam qenë gjithmonë një nga lojtarët më të sinqertë dhe besnikë. I respektoj tifozët dhe klubin. Hedhja e fanellës mbrëmë nuk ka të bëjë me mungesën e respektit apo diçka tjetër për të cilën jam akuizuar nga njerëz të cilët besojnë apo pretendojnë se më njohin. Për këtë fanellë plot djersë kam dhënë gjithçka për më shumë se dhjetë vite, me gjithë karakterin tim impulsiv, dhe kemi fituar kaq shumë. Disa nuk do ta kuptojnë kurrë ç’do të thotë të japësh gjithçka për klubin tënd dhe më vjen keq për ta. Për sa kohë jam në fushë, do t’i mbroj ngjyrat tona dhe do të futem në çdo ndeshje me gjithë pasionin tim. Sepse e dua futbollin dhe dua t’i bëj të lumtur të gjithë tifozët tanë. Me ndihmën tuaj, dashurinë dhe pasionin, do të vazhdojmë të shkruajmë një histori të bukur së bashku në të ardhmen! Mia San Mia!” – janë fjalët e shkruara nga francezi.

A u “pajtuan” tifozët me 34-vjeçarin? Vështirë. Duhen vepra!

Më shumë nga Bundesliga