Kampionati Shqiptar

Rikthehen tifozët, por Skënderbeu ka një njoftim me rëndësi për ta

Skënderbeu do të presë sot në shtëpi Kukësin, një përballje rivalësh të denjë për titullin në sezonet e fundit. Më konkretisht, kampionët do të sfidojnë nënkampionët, në garën e ethshme për kreun e Superiores. Klubi korçar ka paguar pjesën e mbetur të dënimit të stadiumit të vet pa tifozë me gjobë, ndaj “lojtari i 12-të” do të jetë sot në mbështetje të kuqebardhëve.

Por, klubi ka një njoftim të rëndësishëm për ta: “Të dashur tifozë! Pas më shumë se një muaji të dënuar për të luajtur pa praninë tuaj, klubi ka paguar pjesën e mbetur të dënimit dhe sot do të kemi mundësinë dhe kënaqësinë të luajmë me praninë e tifozëve në stadium.

Dëshirojmë t’ju njoftojmë dhe të sqarojmë opinionin publik, në veçanti tifozët tanë, se klubi ka implementuar disa masa shtesë në bazë të ligjit të ri për sportin. Për t’iu përshtatur ligjit dhe për t’iu krijuar lehtësirat e nevojshme forcave të policisë, klubi ka instaluar në stadium kamera sigurie.

Synimi ynë nuk është dëmtimi i tifozëve, por krijimi i kushteve maksimale dhe brenda ligjit për mbarrëvajtjen e çdo takimi që do të luhet në vijim të sezonit në stadiumin “Skënderbeu”, për të mos përsëritur situatat e krijuara gjatë takimit të parë sezonal.

KF Skënderbeu iu bën thirrje të gjithë tifozëve për bashkëpunim, qetësi dhe kulturë. Jemi të sigurtë dhe shprehim besimin tonë se të gjithë së bashku do të krijojmë në vazhdim ambientin e duhur për të zhvilluar një takim futbolli, në kushte normale dhe brenda regullave”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar