Europa League

Rikthim në Beograd, ja rivalët në grup të Skënderbeut

Rikthim në Beograd. Pas mbrëmjes së dronit, 14 tetor 2014, në eliminatoret e kombëtares kuqezi, asaj ndeshjeje të ndërprerë e që vazhdoi gjatë në komisionet përkatëse juridike të UEFA-s dhe CAS të Lozanës, është Skënderbeu që do të ndeshet me Partizanin e Beogradit. Një derbi patjetër i nxehtë ballkanas, që rikthen ballafaqimet shqiptaro-serbe, si dikur, kur Flamurtari luante dhe eliminonte Partizanin e Beogradit. Shorti i fazës së grupeve, i hedhur sot në Nyon, e ka vendosur skuadrën korçare në të njëjtin grup me kryeytetasit e Serbisë. Më konkretisht, në Grupin B, Skënderbeu do të luajë me Partizanin e Beogradit, Dinamon e Kievit dhe Yong Boys të Zvicrës. Një grup pa emra të mëdhenj, si Milan, Arsenal apo të tjerë, që nuk ka dukshëm favoritë për të shkuar në raundin tjetër të këtij kompeticioni, që premton garë të hapur dhe rivalitet.

Kjo është hera e dytë që Skënderbeu merr pjesë në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Parvjet ishte në këtë “stacion” të këtij kompeticioni, ardhur si skuadër pjesëmarrëse në “play-off”-in e Ligës së Kampioneve. Asokohe, nuk ia doli ndaj Dinamos së Zagrebit, që humbi dy herë, ndërsa këtë edicion ia doli mrekullisht dhe meritueshëm ndaj gjigantëve kroatë. Veç Dinamos së Zagrebit, skuadra korçare, e drejtuar nga trajneri Ilir Daja, eliminoi raund pas raundi në Ligën e Europës ST Julia të Andorrës, Kairat Almaty i Kazakistanit dhe Mlada Boleslav e Çekisë.

Më shumë nga Europa League