Connect with us

Bundesliga

Robben: “Cristiano Ronaldo dhe Florentino Perez më përzunë nga Real Madrid”

Alla holandez i Bayern Munich kujton momentin e lamtumirës së tij nga klubi merengues. “Nuk doja të largohesha, por më thanë se i nevojiteshin paratë nga shitja ime”. Dy sezone, nga vera e vitit 2007, kur Real Madrid investoi plot 36 milionë euro për ta blerë nga Chelsea, deri në vitin 2009 kur u largua nga Madridi për tu transferuar te Bayern Munich. Në ato dy vite, Arjen Robben shfaqi të gjithë repertorin e tij për publikun në Bernabeu, përshpejtime, driblime, 14 asiste dhe 13 gola, por prapseprap ato dëmtime që i kushtëzuan të gjithë karrierën nuk e lanë rehat holandezin as te Los Blancos.

Në dy sezone me Real Madrid, Robben zhvilloi 65 ndeshje duke dhënë 14 asiste dhe realizuar 13 gola.

Lamtumira e parakohshme – Ato 65 ndeshje të zhvilluara me klubin merengues janë gjithsesi një statistikë e mirë, që nëse do të kishte qenë për vetë atë, kjo eksperiencë do të kishte zgjatur më shumë. Këtë e tregon vetëm Robben në një intervistë për Fox Sports, në të cilën ai kthehet pas në kohë, pikërisht në atë ditë gushti të vitit 2009, për të akuzuar presidentin e Los Blancos si personin që kërkoi shitjen e holandezit. “Ishte një verë e çuditshme. Florentino Perez ishte rikthyer president dhe bashkë me atë vijnë edhe blerjet e reja. Nga Cristiano Ronaldo, te Kaka, nga Bezema te Xabi Alonso. Shumë futbollistë që sollën një shpenzim gjigant ekonomik”, tregon Robben.

Robben u detyrua të largohet nga Real Madrid në 2009, me rikthimin e Perez dhe blerjen e Ronaldos.

I sakrifikuari – Kështu duhej të sakrifikohej dikush. Në këto kushte, padroni i Real Madrid drejtoi gishtin e tij pikërisht kundër holandezit. “Mua dhe menaxherit tim na thanë se klubi do të mund të gjeneronte shumë të ardhura nga shitja ime, por fillimisht unë nuk kisha asnjë qëllim që të largohesha. Isha shumë mirë, me siguri kisha zhvilluar fazën më të mirë përgatitore atë sezon. Por, nuk mu dha mundësia për ta dëshmuar”, deklaroi ylli holandez.

Me Bayern Munich, Robben realizoi ëndrrën më të madhe, fitimin e Champions League në 2013.

Te Bayern Munich – Atëherë rrugët u ndanë, Louis van Gaal e morri me shumë kënaqësi te Bayern Munich, aty ku Robben nisi menjëherë tu tregojë të gjithëve vlerat e tij, edhe më shumë se ç’kishte bërë deri në ato momente te Chelsea dhe Real Madrid. Në Bavari ka luajtur plot 233 ndeshje, duke shënuar 121 gola dhe shërbyer 79 asiste. Numra dhe statistika këto të një niveli shumë të lartë, gjithsesi të cënuara si gjithmonë nga ajo tendencë e dëmtimeve muskulare, por pavarësisht gjithçkaje ai mundi të shijojë ëndrrën më të madhe, atë të fitimit të titullit të Champions League në vitin 2013, të fituar ndaj Borussia Dormund, pikërisht falë një goli të tij në minutën e 89’.

Më shumë nga Bundesliga