Nations League

Roberto Mancini, “i ngopur” me Italinë që nuk fiton ndeshje

Trajneri i Italisë, Roberto Mancini, tha se është i lodhur nga mungesa e fitores së kombëtares italiane, teksa “thatësira” në këtë drejtim u shtri në pesë ndeshje radhazi, kundër Ukrainës. Goli i minutës së 55-të i Federico Bernardeschi u barazua nga Ruslan Malinovskiy, duke regjistruar rezultatin 1-1 mes Italisë dhe Ukrainës, në miqësoren e së mërkurës.

Periudha e trajnerit Mancini nisi me një fitore 2-1 kundër Arabisë Saudite, në maj, por Italia e tij nuk ka fituar më që nga ajo kohë. Për pasojë, presioni mbi ish-trajnerin e Interit sa vjen e shtohet. “Unë jam i ngopur duke mos fituar dhe kështu ndihet gjithkush, – tha Mancini. – Gjëja pozitive është se ekipi luajti futboll të mirë në periudha të caktuara kohe.

Ishte një miqësore, kështu që shpresojmë se mund të fillojmë të fitojmë të dielën. Është e qartë se tifozët janë të mërzitur, kur skuadra e tyre kombëtare nuk fiton, por ne duhet të reagojmë.
Nëse do të kishim shënuar një gol tjetër, të gjithë do të ishin të kënaqur me performancën, mendoj se vetëm rezultati nuk shkoi si duhet”.

Italia ka fituar vetëm një nga 10 ndeshjet e fundit, ndërsa trajneri Roberto Mancini shtoi: “Duhet të jemi më të saktë kur kemi mundësinë të shënojmë, sepse në futboll fitohet me gola. Ne luftuam shumë, por shënuam vetëm 1 gol, pavarësisht nga të gjitha mundësitë që krijuam, ndërsa Ukraina shënoi në goditjen e dytë. Për fat të keq, në këtë moment gjërat nuk po shkojnë fort mirë, ndaj duhet të punojmë që të përmirësohemi”.

Italia do ta kthejë vëmendjen e saj te përplasja e Ligës së Kombeve të së dielës, që do ta luajë kundër Polonisë, në Chorzow. “Ne duhet të nxjerrim gjërat pozitive nga kjo mbrëmje. Kemi vetëm katër ditë për të përgatitur ndeshjen e radhës, që do të jetë zyrtare, duhet të udhëtojmë në transfertë, gjithashtu, kështu që nevojitet të rehabilitohemi sa më shpejt”, – përfundoi Mancini.

Më shumë nga Nations League