Tenis

Roger Federer nuk ndalet, fiton turneun e Shtutgardit

Roger Federer fitoi turneun e Shtutgardit, triumfi nr.98 në karrierën e tij dhe nga dita e hënë do të jetë “Numri 1” në botë për meshkuj. Tenisti zviceran mundi 2-0 në finale (6-4, 7-6) rivalin kanadez Milos Raonic, një përballje e fortë mes dy prej tenistëve më të mirë në botë. Por pavarësisht moshës, 36 vjeç, Federer tregoi se është një kampion, sidomos në fushat me bar, ku sot regjistroi suksesin e 170-të në karrierën e tij (ka vetëm 25 humbje). Për zviceranin ky është triumfi i 15-të radhazi në këtë sipërfaqe.

Ndeshja nis menjëherë mirë për Federer, që pasi merr një “game” me topat e kundërshtarit, fitoi 6-4 setin e parë, ndërkohë që sfida bëhet edhe më e bukur në setin e dytë. Tenistët fitojnë “game” me shërbimet e tyre dhe gjithçka vendoset në “tie break”, aty ku Federer nuk gabon dhe fiton 7-6. Një triumf i merituar i zviceranit, që rikthehej pas gati 3 muajsh pushim në fushë dhe arrin të fitojë në Shtutgard, duke dhënë një sinjal të fortë për rivalët e tij, se është gati për grand slemin e Wimbledon, që nis më 2 korrik në Londër.

Më shumë nga Tenis