Futboll

Roma-Perotti, zyrtarizohet rinovimi deri në vitin 2021

Roma-Perotti, zyrtarizohet rinovimi deri në vitin 2021

Roma ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës së Diego Perotti deri në vitin 2021. Marrëveshja mes klubit verdhekuq dhe argjentinasit të lindur në vitin 1988 flitej prej kohësh, por vetëm sot u firmos kontrata e re. “E kam ndjerë gjithmonë që jam në vendin e duhur dhe jam ndjerë i rëndësishëm për skuadrën e Romës. Ky rinovim më bën shumë të lumtur, – tha Perotti. – Roma më pëlqen shumë dhe ndihem shumë mirë. Do të qëndrojë këtu të paktën deri në vitin 2021 dhe jam shumë i kënaqur që arrita marrëveshjen me drejtuesit.”

Ky është një tjetër rinovim i rëndësishëm te Roma, pas atij të firmosur nga Manolas, pak javë më parë. Perotti ka luajtur 78 ndeshje me Romën në të gjitha veprimtaritë, duke shënuar 17 gola. Ai u ble nga Genoa në janar 2016. Ky rinovim erdhi menjëherë pas fitores ndaj Qarabag, që i dha mundësinë Romës ta mbyllte në vendin e parë grupin në Champions: “Po kalojmë një moment të shkëlqyer dhe kemi shkruar përtej asaj që pritej nga ne, por nuk duhet të ndalemi. Duke vazhduar punën në këtë mënyrë kemi mundësi t’i japim shumë kënaqësi vetes,” – përfundoi argjentinasi.

Më shumë nga Futboll