Connect with us

Futboll

Spalletti: “Do të lë një Roma të fortë”

Atmosferë e acaruar në shtëpinë e Roma-s pak orë nga sfida kundër Sassuolo-s, sot në mbrëmje në 20:45 në kuadër të javës së 29 të “Serie A”. Eliminimi nga Europa League nga Olympique Lyonnais ka rritur tensionet te verdhekuqtë, gjë që u pa edhe në konferencën e shtypit të trajnerit Luciano Spalletti. Ish-trajneri i Zenit-it kishte premtuar se pa fitore nuk do të vazhdonte aventurën e tij me verdhekuqtë, dhe një fjali e shprehur prej tij në fund të asaj që mund të konsiderohet si një shfryrje ndaj gazetarëve, lë pak dyshime për faktin që toskani nuk do të drejtojë Roma-n në sezonin pasardhës.

“Nuk jam i humbur– tha me ton të lartë Spalletti – dhe kam arritur një nivel jete dhe profesional ku kam krijuar një emër. Një humbje apo një fat i keq nuk më përkufizojnë aspak. Unë jam trajneri i Roma-s, ndërsa ju gazetarët jeni duke bërë rolin e psikoanalistit tim, jeni ju të humbur. Në vend të shkruani artikuj sportivë tani merreni me horoskopin. Sot nuk kisha kohë, por gjatë javës ulem dhe i rilexoj të gjitha. Unë jam me shumë fat. Kam thënë se shihja hije? E kam thënë për t’u tallur me ju. Unë po punoj për të lënë një Romë të fortë deri në ditën e fundit – shpjegoi më tej – dhe ky është detyrimi e qëllimi im. Djemve i kam thënë se këto 4 apo 5 ndeshje mund të përcaktojnë kampionatin. Nëse fiton skenaret mund të ndryshojnë”, ishin fjalët e trajnerit verdhekuq.  Fjalë të cilat nuk mund të mos lexohen si një konfirmim se tashmë, pavarësisht nga rezultati final i kampionatit, Spalletti ka marrë vendimin për t’u larguar nga Roma. Ndërkohë për të mos lënë t’ju ikë nga duart objektivi vendi i dytë, duhet rigjetur qetësia.

Më shumë nga Futboll