La Liga

Ronaldo dhe “vesi” që po çmend stafin e Real Madrid

Tashmë është shumë e vështirë për të gjetur epitete të reja për Cristiano Ronaldo. Ka kaluar pothuajse një javë nga nata magjike (jo për tifozët e Juventus) e “Allianz Stadium”, ajo në të cilën ka shkruar një tjetër faqe të historisë së futbolli me dy gola të mrekullueshëm, të cilët kanë treguar aftësitë e mëdha të yllit të Real Madrid dhe kombëtares së Portugalisë.

Aftësi që vijnë falë një pune të madhe dhe të pareshtur, nga një vëmendje e madhe ndaj detajeve në stërvitjet e përditshme të 33-vjeçarit, i cili duket se “frenohet” nga stafi i tij personal dhe nga ai i Real Madrid.

Janë të shumtë ata që pyesin veten se cilat janë sekretet e stërvitjes së Ronaldo-s. Forca e tij ka qenë gjithmonë vullneti për të kaluar çdo limit, i cili mund të thuhet se tejkalon aftësitë e tija si futbollist. Po, sepse CR7, gjatë karrierës së tij dhe sot, pasi ka fituar gjithçka ishte e mundur, vazhdon të jetë i pari që shkon në stërvitje dhe i fundit që largohet. Dëshira dhe uria kanë mbetur ato të një djaloshi që kërkon të përmirësohet dhe të befasojë akoma. Vëmendja ndaj detajeve në stërvitje është ajo e një maniaku dhe portugezi adhuron të stërvitet edhe individualisht pasi seancat me ekipin kanë mbaruar.

Në fakt, stafi i Realka qenë i detyruar që të përgatisë një plan special stërvitjeje për të shmangur që Ronaldo të ekzagjeronte në stërvitje. Kjo është ajo që zbulohet nga fjalët e Raphael Fevre, përgatitësi fizik i Paris Saint-Germain, i cili ka punuar nën urdhrat e Carlo Ancelotti-t nga 2009-a deri në 2012-ën. Gjatë eksperiencës së tij me Chicago Fire, ai është takuar me Antonio Pintus, përgatitësin e madrilenëve, me rastin e një miqësoreje me Real.

“Kanë një plan të personalizuar dhe të veçantë për Cristiano Ronaldo-n, – ka thënë për Le Parisien. – Është një maniak i punës, adhuron të stërvitet, për këtë arsye duhet t’i kërkojnë të ngadalësojë ritmin. Nuk duhet ta stimulojnë sepse punon shumë që tani”.

Dhe rezultatet janë para syve të të gjithëve. Mjafton të mendohet se CR7, pas një pjese të parë të sezonit nën standardet e tij, ka shpërthyer me një lum golash, duke përmirësuar ndjeshëm mesataren e tij realizuese, që aktualisht është më shumë se 1 gol për ndeshje (40 realizime në 37 takime). Më pas është Champions, kompeticioni i tij i preferuar, siç tregojnë 14 golat e shënuar. Me pak fjalë, sa më shumë kalon koha, aq më shumë përmirësohet Ronaldo. Si të ishte një verë, e cila ruhet nga stafi i Real dhe Zidane me ngarkesa pune të personalizuara.

Më shumë nga La Liga