Moto GP

Rossi gati për garën në Motegi: Mendoj ende për titullin kampion

Pasi garoi 3 javë më parë në pistën e Aragon, pas një rikuperimi fantastik, 24 ditë pas operacionit, Valentino Rossi paraqitet në garën e radhës së Botërorit të Moto GP, atë që zhvillohet ditën e diel në pistën e Motegi, në një formë shumë më të mirë. Gjatë këtyre javëve, piloti italian i Yamaha ka punuar fort për të qenë në garën e radhës në formën më optimale. “Pas garës së Aragon kam punuar për të rikuperuar nga shqetësimet që kisha dhe mendoj se gjërat kanë shkuar në drejtimin e duhur. Ishte diçka pozitive që kisha një pushim kaq të gjatë në dispozicion, pasi pata mundësi të përgatitem ashtu si duhet”, tha Rossi.

Piloti italian Valentino Rossi

Duke nisur nga dita e diel, do të zhvillohen tri gara radhazi të Botërorit të Moto GP, në Japoni, Australi dhe Malajzi, ndaj dhe stresi fizik që kalojnë pilotët është i madh. “Janë 3 gara radhazi, jemi në pistë çdo të diel, ndaj është e rëndësishme që për këto 3 gara të jesh në formë”, tha piloti italian, që ka shpalosur edhe objektivat e tij. Ai synon të grumbullojë sa më shumë pikë, për të qëndruar në garën për titull edhe pse rivalët janë shkëputur disi. “Më pëlqen shumë pista e Motegi dhe mezi pres të garoj aty. Do të bëj maksimumin për të arritur një rezultat pozitiv në pistë dhe të tregoj jam ende në formë e pretendent”, tha Valentino Rossi.

Më shumë nga Moto GP