Moto GP

Rossi: Më në fund një garë e denjë për motorin Yamaha

Valentino Rossi u klasifikua në vendin e katërt në garën e zhvilluar në pistën e Buriram, në Tajlandë, duke u rikthyer protagonist në garat e Moto GP. Ashtu sikurse protagonist u kthye Yamaha, që ishte competitive me të dy pilotët, pasi Maverick Vinales u rendit i treti. “Më në fund një garë e denjë për motorin Yamaha, pavarësisht se nuk fituam. Ishim kompetitivë dhe kjo është më e rëndësishme për momentin. Fakti që të dy pilotët ishim mes të parëve është pozitive dhe shpresoj që kjo gjë të ndodhë edhe në garën e radhës, në Japoni”, tha Rossi.

Piloti italian ndjen keqardhje për faktin që nuk u ngjit dot në podium, ndërkohë që e nisi garën nga vendi i dytë. “Nuk isha në gjendje të mbaja ritmin e Marquez dhe Dovizioso, ndërsa Vinales kishte një set gomash të reja, që e bëri të jetë më i qëndrueshëm në ritmin e tij në pistë në xhirot e fundit. Unë e kisha të pamundur të rrezikoja, pasi motori rrezikonte të dilte jashtë kontrollit nga momenti në moment. Doja të ngjitesha në podium, pasi e dëshiroja një rezultat të tillë, por ndoshta kjo mund të ndodhë në garat e mbetura”, u shpreh Valentino Rossi.

Më shumë nga Moto GP