Moto GP

Rossi zhgënjen në “shtëpi”, Marquez dominon në Brno

Marc Marquez, kampioni i botës në fuqi i MotoGP, ka fituar Çmimin e Madh të Çekisë dhe është ngjitur në kuotën e 154 pikëve në renditjen e pilotëve, 14 larg Vinales, i cili mban vendin e dytë dhe që ka dalë i treti në garën e sotme. Vendi i dytë është marrë nga piloti tjetër i Yamaha, Dani Pedrosa. Valentino Rossi ka qenë i detyruar të “kënaqet” me një vend të pestë.

Jorge Lorenzo ka marrë kryesimin në xhiron e parë, teksa Marquez ka përfunduar i katërti pas xhiros së dytë, i parakaluar nga dyshja Rossi-Dovizioso. Në xhiron e tretë Marquez ka qenë i detyruar t’i drejtohet bokseve për shkak të një zgjedhje të gabuar të gomave. Në xhiron e pestë, pjesa më e madhe e pilotëve kanë vendosur të futen gjithashtu në bokse për të ndryshuar motorët, por jo Rossi me Zarco, që kryesonin garën në vendin e parë dhe të dytë. Gjithsesi, italiani ka vendosur ta ndjekë shembullin e të tjerëve në xhiron pasardhëse, me Zarco që ka vazhduar të qëndrojë në pistë.

Marquez ka marrë kryesimin e garës në xhiron e gjashtë, ndërsa dominimi i Honda ka filluar në xhiron e dhjetë, me Pedrosa që ka marrë vendin e dytë mbrapa krahëve të shokut të tij të skuadrës. Ndërsa ka qenë në vështirësi Valentino Rossi, i cili e ka mbyllur garën në vendin e pestë pasi kishte përfunduar i dhjeti pas ndërrimit të motorit. “Doktori” nuk ka arritur të pasurojë koleksionin e tij prej 7 triumfesh në Brno, që e bëjnë atë edhe pilotin më fitues në këtë cirkuit, që është akoma në aktivitet.

Më shumë nga Moto GP