Kampionatet në Europë

Rrëfehet Igli Tare: Merita është e Lotitos, që ma besoi këtë rol…

Në mesin e sportistëve më të mëdhenj në Itali ka edhe Igli Tare shenjën e tij. Me punën e kryer si menaxher i Lazios, ai ka sjellë lojtarë, që kanë spikatur me këtë skuadër të Seria A. Atij pritet t’i afrohet një rinovim i merituar i kontratës, në rolin që mban, por Tare është duke menduar vetëm për punën, siç thotë për “Radio Sei”: “Rinovimi i kontratës është gjëja e fundit në mendimet e mia. Kjo gjë do të jetë një formalitet me presidentin Lotito, sepse kemi respekt dhe besim të ndërsjellë. Në fillim nuk ishte e lehtë, sepse nuk kisha përvojë dhe mbi të gjitha askush nuk besonte tek mua. Merita është e Lotitos, që ka parë më shumë se të tjerët tek unë, që ma besoi këtë rol”.

Shumë goditje të rëndësishme në vitet e fundit, por ka një të preferuar: “Definitivisht, Milinkoviç Saviç, jo vetëm sepse është një nga talentet më të fortë në qarkullim, por edhe sepse arrita të mbaj fjalën e dhënë në fillim. Lëvizja më e fortë që unë kam bërë”. Por, Igli Tare ka edhe një keqardhje të madhe: “Pa dyshim, Cavani, sepse në atë kohë nuk kishte kushte “politike”, në mënyrë që ai të mund të lëvizte nga Palermo te Lazio. Vështirësitë? Ato më kanë bërë të eci përpara. Sa më shumë më kritikojnë, aq më i fortë bëhem. Kështu jam unë. E dija se herët a vonë do t’i shikoja frytet e punës time”.

Më shumë nga Kampionatet në Europë