NBA

Rrëfehet LeBron: Kam luajtur më dorën e thyer, mund të largohem nga Cleveland

Ka përfunduar në mënyrën më të keqe të mundshme sfida për titull në NBA për skuadrën e Cleveland Cavaliers, që u mund 4-0 me ndeshje nga Golden State Warriors. Sfida e katërt finale luajtur në Cleveland u fitua me një diferencë prej 23 pikësh nga miqtë, që korrën suksesin e dytë radhazi, ndërsa Cavaliers mbetën sërish duarbosh. Kjo mund të ketë qenë edhe sfida e fundit me Cleveland për LeBron James, që mund të largohet nga 1 korriku, kur bëhet “free agent” (lojtar i lirë).

Në një intervistë pas ndeshjes së sotme, “Mbreti James” tha: “Që pas finales së parë kam luajtur me dorën e thyer. Këtë nuk e them për t’u justifikuar, është një dëmtim që e shkaktova vetë. Emocionet e finales së parë dominuan mbi mua dhe praktikisht kam luajtur 3 takimet e fundit me dorën e thyer”, thotë LeBron. Mësohet se ai e ka dëmtuar dorën pas ndeshjes së parë finale play off, të humbur në shtesë, duke goditur me gusht një tabelë në dhomat e zhveshjes.

Ndërsa e ardhmja mbetet ende një dilemë: “Arritëm deri në finale edhe pse nuk e prisja duke parë se në kampionat luajtëm me luhatje, ndaj do ta konsiderojë këtë fazë pozitive. Nuk e di se çfarë më pret në të ardhmen, do të diskutoj më familjen e fëmijët e mi. U ktheva te Cleveland në vitin 2014, pasi kisha ende diçka për të treguar dhe arrita të realizoj një ëndërr, tani të shohim se si do të rrjedhin ngjarjet”, tha LeBron James, që synon titullin kampion me një ekip tjetër.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga NBA