Tenis

Rrëfehet Sharapova: Serena Williams më ka urryer gjithnjë

Pas eliminimit në turin e katërt të grand slemit të US Open, tenistja ruse Maria Sharapova ka qëndruar edhe për disa ditë në Nju Jork, ku ka bërë prezantimin e librit të saj autobiografik “Unstoppable” (E Pandalshmja). Për të botuar këtë libër, bukuroshja ruse ka punuar gjatë muajve që ka qenë pushim, për shkak të pezullimit 15-mujor për përdorim dopingu. Një pjesë të rëndësishme në këtë libër zë marrëdhënia e saj me rivalen amerikane Serena Williams. Një marrëdhënie që më së shumti ka qenë formale dhe jo miqësore edhe pse “pantera e zezë” gjithnjë ka dominuar në përballjet mes tyre.

Përballë saj jam një zero”, thotë Sharapova në librin e saj. “Shumë lojtarë të mëdhenj kanë këtë superioritet karshi rivalëve. Njerëzit shpesh më pyesin se përse kam kaq shumë vështirësi të mund Serenën. E vërteta është që ajo ka dominuar në përballjet ndaj meje, duke fituar 19 nga 21 duelet që kemi bërë mes nesh. Shpesh njerëzit thonë se është forca e saj fizike, shërbimi i fortë, është më e fortë mendërisht, se loja e saj i përshtatet lojës time etj. Ndoshta të gjitha këto ekzistojnë, por mendoj se e vërteta është ajo finale e Wimbledonit në vitin 2004”, thotë Sharapova, që i ka humbur 18 sfidat e fundit ndaj rivales amerikane.

Tenistja ruse Maria Sharapova

Në atë finale, Maria Sharapova fitoi 2-0 (6-1, 6-4) ndaj Serena Williams, që në dhomat e zhveshjes ka qenë si një “bishë”, pasi nuk e besonte që një 17-vjeçare mund t’i rrëmbente kurorën. “Ishim të dyja në dhomat e zhveshjes, unë po ndërrohesha, ndërsa ajo ishte e tërbuar dhe xhindosur. Mendoj se pas asaj humbje Serena më ka urryer shumë, pasi nuk e pranonte që një vajzë e dobët dhe e panjohur siç isha unë, do ta mundte në një finale, kundër çdo parashikimi. Ndaj ajo ndaj meje luan gjithnjë me inat, ndërsa unë ndihem inferiore”, u shpreh tenistja ruse, që nuk fiton ndaj Serena Williams që prej finaleve të Championship, të vitit 2004.

Më shumë nga Tenis