Çiklizëm

Rrëfehet Zhupa: Ja pse zgjodha Shqipërinë para Italisë, ëndërroj fitoren në Xhiro

Çiklisti Eugert Zhupa ka kohë që ka nisur përgatitjet për sezonin e ri, ndërkohë që ka mbyllur me sukses vitin 2017, ku ka qenë protagonist në disa gara me skuadrën e Wilier Triestina-Selle Italia. Në një rrëfim për mediat italiane, çiklisti kuqezi shprehet për vitin që sapo u mbyll: “Jam i kënaqur me paraqitjen time. Nuk e nisa mirë sezonin, por muaj pas muaji u rrita ndjeshëm, duke qenë në fund të sezonit njeriu i vetëm që mbështeste Mareczko (shoku i skuadrës) në sprintet për fitore. Bëra një paraqitje të mirë në “Giro delle Fiandre”, që më dha moral për të vazhduar në këtë rrugë. Ndjej pak keqardhje për Xhiron e Italisë, ku mund të isha paraqitur edhe më mirë”, thotë Zhupa.

Çiklisti Eugert Zhupa gjate nje gare

I pyetur për sezonin, e ri, çiklisti kuqezi, shton: “Kërkoj pak më shumë fat. Po punoj shumë për të qenë gati fizikisht që në garat e para sezonale. Detyra ime brenda skuadrës së Wilier Selle është ajo që të jem në dispozicion të Mareczko, detyrë që këtë vit do ta ndaj bashkë me Coledan. Ardhja e Marco në skuadër na jep mundësinë që të jemi më kompetitivë në etapat që mbyllen me sprint”, thotë Zhupa, që shpreh edhe ëndrrën e tij: “Do të ishte fantastike po të fitoja një etapë të Xhiros së Italisë. Ky do të jetë viti i katërt që do të marr pjesë dhe besoj se jam gati për të triumfuar”.

Çiklisti Eugert Zhupa pershendet fansat

Zhupa edhe pse ka nënshtetësinë italiane garon për Shqipërinë. Në intervistën e tij, çiklisti kuqezi shprehet se përse ka vendosur të garojë për Shqipërinë dhe jo për Italinë edhe pse ka pasaportën e shtetit fqinj. “Kam ardhur i vogël në Itali dhe jam shumë i lidhur pas këtij vendi, pas kësaj toke. Kam nënshtetësinë italiane, por në garat Botërore vesh fanellën e Shqipërisë. Arsyeja është e thjeshtë, ishte një dëshirë për “hakmarrje”. Kur isha i vogël, shqiptarët i shihnin me sy tjetër. Brenda meje mendoja se si të tregoja të kundërtën dhe shpresoj që përmes çiklizmit të bëhem një simbol për vendin tim”, thotë Eugert Zhupa.

Më shumë nga Çiklizëm