La Liga

Rrëfimi 360 gradë i Iniesta: Neymar te Real Madridi? Nuk mendoj si Messi…

Andrés Iniesta dha një intervistë këtë të enjte në hapësirën “El Món a RAC1”. Kapiteni ende i Barcelonës do t’i thotë lamtumirë kësaj skuadre në fundjavë, pas 22 vitesh karrierë te klubi katalanas.

Lamtumira po vjen – “Jam nervoz për të dielën, kam folur me disa njerëz, të cilët e kanë kaluar një moment të tillë. Ndjenjat janë akoma shumë në sipërfaqe, është një vendim që duhet ta bëj, por e vështirë”.

Vendimi i pakthyeshëm – “Nuk kam menduar për të shikuar prapa, është një nga vendimet më të rëndësishme të jetës sime. Njëri ishte ardhja nga Fuentealbilla te Barcelona dhe tjetri është ky”.

Në Kinë apo Japoni – “Çdo gjë do të jetë vendosur pas tri ditëve të fundit. A do të jetë Japonia apo Kina? Do ta njoftoj javën e ardhshme”.

Vendim i qetë – “Unë jam një person meditues, e dëgjoj veten në të gjitha nivelet. Ka qenë një proces. Vitin e kaluar edhe në nivel kolektiv, edhe personal. Nuk ishte e lehtë, nuk e dija nëse ky vit do të ishte i fundit, apo jo, kur sezoni filloi”.

Finalja e Kupës së Mbretit – “Finalja e fundit kundër Sevilla ishte si fundi i jetës sime. Fatmirësisht, gjithçka shkoi mirë, sepse vinim një “luftë” shumë e vështirë kundër Romës”.

Momenti më i keq në 22 vite te Barcelona – “Vdekja e Dani Jarque dhe Tito Vilanova ishin dy herë më shumë të vështira në nivel njerëzor”.

Pep, idhulli yt – “Unë gjithmonë e kisha idolizuar Guardiolën. Fakti që ishte trajneri ynë, do të thoshte një motivim i pabesueshëm”.

Goli në “Stamford Bridge” – “Kanë kaluar nëntë vite dhe ende më kalojnë të dridhura nëpër trup kur e shikoj, apo e kujtoj. Ai gol ishte diçka, që u shoqërua me ndjenja të papërshkrueshme. Për një futbollist, që të hyjë në jetën e njerëzve, është diçka pa asnjë çmim”.

Fatkeqësia e Romës – “Është ndoshta një nga momentet më të dhimbshme të karrierës sime. Ishte e papritur, e pashpjegueshme, një goditje shumë e fortë për të gjithë ne. Nuk e prisnim”.

Insistimi i klubit – “Ata nuk kanë këmbëngulur që të qëndroj. Kur njerëzit ju njohin aq shumë, e kuptoni se vendimet janë personale. E di se shumë njerëz duan që unë të vazhdoj dhe është shumë mirë”.

Lojtari që ai pëlqen – “Unë e kam pëlqyer gjithmonë David Silva. Ai është një lojtar ndryshe nga të tjerët. Do të doja të kishte nënshkruar me Barcelonën.

Barcelona pa Iniesta – “Jeta vazhdon. Para Iniestës është larguar Xavi, apo lojtarë të tjerë. Klubi do të vazhdojë të luajë mirë dhe të fitojë”.

Neymar në Madrid – “Neymar është një nga lojtarët më të mirë, aktualisht. Nëse Real Madridi do ta blejë atë, do të ishte një pikë në favor të tij, por jo diçka e tmerrshme, siç thotë Messi…”

Messi është më i miri – “Ajo që bën Messi është e pabesueshme. Nuk ka asnjë tjetër si ai. Eshtë pjesë e futbollit, por nuk është futboll. Futboll është ajo që ndodh në fushë”.

Apologjia e “France Football” – “Unë nuk do të ndjehem më mirë se po më kërkohet falje. Nuk ka vend për këtë. Unë kam qenë atje, në këto çmime, dhe me të vërtetë i kam gëzuar ato. Në vitin 2010, kur në podium isha bashkë me Messi dhe Xavi, kam përjetuar diçka shumë të bukur. Të tre nga një shtëpi ishim atje, njëri do të fitonte…”

Pique, president – “Unë e shoh si një mundësi, nëse kjo është dëshira e Gerard. Nëse është e dobishme për këtë klub, përse jo. Xavi dhe Iniesta trajnerë? E pra, mund të jetë një tjetër mundësi. Lojtarët që kanë luajtur këtu i detyrohen shumë Barçës”.

Planet e ardhshme – “Unë nuk përjashtoj të vazhdoj të luaj edhe pas dy, apo tri vietesh. Do të përpiqem ta zgjeroj atë, derisa trupi të më thotë mjaft. Pastaj, do të kënaqem me ndonjë projekt tjetër”.

Më shumë nga La Liga