Futboll

Rrëfimi i fundit i Arben Mingës

Në këtë ditë, kur të shumtë do të kishin qenë familjarët, shokët, miqtë e dashamirësit, të cilët do ta uronin direkt apo nëpërmjet telefonit, në 57 vjetorin e lindjes, Telesport.al risjell për lexuesit intervistën e fundit të dhënë nga legjenda e skuadrës së Tiranës dhe ekipit Kombëtar të Shqipërisë, Arben Minga, i ndarë nga jeta më 31 janar 2007, duke mos mundur dot të shënojë dhe të fitojë në betejën me sëmundjen.

Legjenda e Tiranës dhe Kombëtares, Arben Minga, do të mbushte sot 57 vjeç.

Legjenda e Tiranës dhe Kombëtares, Arben Minga, do të mbushte sot 57 vjeç.

Njëlloj sikur të ishte shëruar plotësisht e të kishte hedhur tutje atë sëmundje që dje, (31.01.2007) i mori edhe frymarrjen e fundit, apo thjeshtë duke u munduar të fshehte dhimbjen që e bluante përbrenda, legjenda e skuadrës së Tiranës dhe përfaqësueses, Arben Minga, në verën e vitit 2005 ka bërë vizitën e parafundit në Shqipëri. Teksa ishte në shoqërinë e dy profesorëve të nderuar, Shyqyri Rreli dhe Ismail Demneri, duke konsumuar një kafe mes bisedash, Minga me mirësjelljen që e karakterizonte pranoi të jepte atë që rezultoi të ishte dhe intervista e tij e fundit. Pikërisht aty ku dhe pjesën më të madhe të klientelës e përbënte shoqëria intelektuale tiranse, “Ish-Lidhja e Shkrimtarëve”, përshëndetjet dhe urimet në adresë të Mingës, vinin nga çdo anë, duke ndërprerë shpesh fjalën e tij, që dukej se kishte pritur shumë.

 

Keni qenë futbollist i Tiranës dhe tani simbolizoni një legjendë bardheblu. Cilat janë kujtimet pas kaq viteve që janë shkëputur nga Tirana?
Megjithëse kam 8-9 vjet, unë prap vazhdoj të jem i lidhur me Tiranën dhe vazhdoj ta ndjek atë nga larg me anë të internetit ku njihem me rezultatet, me blerjet, me ndeshjet. Deri tani rezultatet kanë qenë të mira dhe të kënaqshme. Tiranën e dua me shpirt. Mbresat e mia nga Tirana janë të mëdha, sepse dihet që aty ka qenë jeta ime. Kam filluar në moshën 15-16 vjec me Tiranën dhe dhashë kontributin tim për ngjyrat bardheblu derisa e lashë futbollin. Tirana ka zhvilluar lojra shumë të bukura dhe ka pasur rezultate shumë të mira sic kanë qene dhe ato me Dinamon e Bukureshtit, me Bajernin etj. Kështu që këto nuk mund të shlyhen nga kujtesa ime. Me Tiranën kemi fituar shumë kampionate, kupa. Kemi qenë një brez (jo se këtu kam bërë pjesë unë), por ka qenë një brez që ka lënë mbresa në Tifozerinë e Tiranës.

 

Kujtoni ndonjë moment të vështirë tuajin personal apo dhe të skuadrës gjatë kohës që ju jeni aktivizuar te Tirana?
Një moment të vështirë, unë kam pasur pasi jemi kthyer nga Gjermania ku patëm një rezultat surprizë. Të rrihesh 8-0 në Gjermani ishte e dhimbshme, por megjithëse unë nuk luajta, kur u kthyem këtu u morën masa duke na përjashtuar e duke thënë që keni parë interesat tuaja, nuk keni mbrojtur ngjyrat e kombit. Në fillim na përjashtuar fare, pastaj e kthyen 6 muaj. Ishin gati duke më hequr dhe nga fakulteti vetëm për këtë. Ky ka qenë një moment i vështirë për mua. Kështu vihej në diskutim e ardhmja në sport. Të përjashtoheshe nga shkolla në atë kohë ishte baraz gati si një tentativë arratisje, kështu e quanin. Pastaj gjërat sikur shkuan në rregull edhe me Tiranën edhe ekipin kombëtar. Ky ishte i vetmi rast se në përgjithësi me Tiranën kam pasur gëzim dhe kënaqësi.

 

Për kaq vite me Tiranën, nën drejtimin e sa trajnerëve ke qenë?
Trajneri im i parë te Tirana ka qenë Zyber Konci. Vajta shumë i ri, megjithëse nuk luajta atë vit, stërvitjen e bëra me ekipin e parë. Kanë qenë vitet ’75-’76. Pas Koncit erdhi Fatmir Frashëri, Enver Shehu, Shyqyri Rreli, përsëri Fatmir Frashëri. Pastaj u largova në Rumani për 2-3 vjet dhe kur jam kthyer përsëri kam gjetur trajner Sulejman Memën për një vit dhe Shkëlqim Mucën po për një vit. Në ’97 e lash futbollin, sepse kështu është, vijnë elementë të rinj dhe duhet t’i lirohet vendi.

 

Si i keni përjetuar këto ndryshime të stafit, si ka qenë ecuria juaj personale nga ana profesionale si dhe e gjithë skuadrës?
Ndryshimet e trajnerëve në përgjithësi janë pozitive, por këto ndryshime duhet të bëhen në kohën e duhur. Nuk mund të bëhen sic po bëhen tani, nga ato që kam dëgjuar dhe kam parë, që ndërrohen trajnerët për dy ndeshje që humbet. Nuk është normale. Trajneri akoma nuk i ka mësuar emrin lojtarëve, këta e ndërrojnë. Dikur ishte më e kontrolluar. Atëherë ndoshta nuk ka pasur president klubi, por edhe pas kësaj, presidenti nuk duhej të ndërhynte shumë në punët e trajnerit. Po arriti që donatorët apo presidentët, që nuk mund të mohohet që bëjnë një punë të madhe, të ndërhyjnë tek punët e trajnerit ose ta heqin trajnerin e të merren me lojtarët ndërkohë që ka specialistë që merren me këtë punë, atëhere s’do të jetë e lehtë për ekipet. Do të ketë shumë mosmarrëveshje, do të ketë luhatje në futboll, do të ketë fenomene negative.

 

Jeta juaj pasi latë sportin?
Kur lash sportin u futa në këshillin drejtues të Tiranës dhe punova dhe si drejtor i firmës që përfaqësonte Gilet për Shqipërinë 3-4 vjet. Pas ’97 shumë firma të tilla u mbyllën sepse nuk guxonin të shkelnin në Shqipëri kështu që unë fillova një punë në Aeroportin e Rinasit si punonjës sigurimi (jo i Sigurimit të Shtetit, qesh). Pas kësaj aplikova me familjen time për të shkuar në Kanada (menduam për më mirë). Pas dhënies së intervistës në Poloni arritëm të merrnim të drejtën për të shkuar në Kanada dhe vazhdojmë të jetojmë atje, u bënë 4-5 vjet. Bëjmë një jetë normale. Unë dhe ime shoqe punojmë. Kemi dy djem. Djali i madh është 14 vjec, i dyti 4. Kanë 10 vjet diferencë, por kuptohen mirë të dy.
Vazhdoni ta ndiqni skuadrën?

 

E ndjek shumë. E ndjek me anë të internetit. Sa kthehem nga puna në shtëpi direkt ulem në kompjuter. Jam i lidhur me futbollin. Megjithëse nuk arrij të shikoj ndeshjet, di çdo gjë me detaje përsa i përket lojës, blerjeve, stafeve drejtuese. Edhe pse jam në Kanada di çdo gjë në lidhje me futbollin këtu.

 

Megjithë informacionin që keni, si do t’i karakterizonit rezultatet e Tiranës, lojën dhe ecurinë e saj gjatë këtyre viteve?
Tirana në përgjithësi ka pasur rezultate, ka pasur dhe ekipin shumë të mirë. Tifozët e Tiranës duan rezultatin e lojës, por duan dhe lojën e bukur. Por, kështu siç është bërë futbolli, biznes, tani të gjithë trajnerët dhe presidentët më shumë shohin rezultatin se sa lojën. Kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por shihet dhe në ekipet e mëdha të botës që shohin rezultatin. Tirana në përgjithësi ka pasur rezultate. Megjithatë sivjet më duket, edhe nga ndeshja (me Kavajën) që pashë të shtunën me miqtë e mi, nuk mbeta i kënaqur. Më thanë që mungojnë lojtarë, por prap ata lojtarë që ishin duhet të ishin më të stimuluar nga emri që mbajnë. I pashë si pa dëshirë dhe sinqerisht më erdhi keq. Dhe një gazetari që më pyeti i thashë: “Nuk e di kush është Tirana, kush është Kavaja (nuk dallohej nga loja). Seç do të bëhet më vonë nuk e di, por me këtë ekip që pashë, nuk pati ndonjë lojë të bukur. Vetëm 2-3 lojtarë bënin përjashtim, megjithëse shpenzohen para, jepen goxha shpërblime, është për të ardhur keq. Mos t’i bësh yzmet, ndërkohë që ka nga ata futbollistë që nuk kanë profesion tjetër. Profesioni i tyre është futbolli. Nëse lënë futbollin, cfarë do të bëjnë? Mora vesh që do të afrojnë lojtarë të tjerë.

 

Keni menduar ndonjëherë se mund të ktheheni tek Tirana?
Unë e kam bërë një zgjedhje. Familja ime mori një vendim, që të shkojmë në Kanada. Këtë e bëmë jo se ishim keq këtu në Tiranë, sepse lashë gjithë këtë shoqëri, por menduam më shumë për fëmijët. Në fillim ishte shumë e vështirë për mua, sepse unë jam mësuar me shoqëri të madhe këtu me njerëz e shokë të mirë. Kam lënë nënë këtu, motrat, babai më vdiq para një viti e gjysmë, por lidhem në telefon me të gjithë. Fëmijët ndjehen mirë aty, kështu që tani për tani kjo është zgjidhja ime. Megjithatë nuk kam patur ndonjë ofertë prej këtej. Nuk i dihet jetës, por kur e shikoj Tiranën kështu si e pashë të shtunën më vjen keq. E dua me gjithë shpirt dhe më vjen keq të përfundojë kështu. Jo se nënvlerësoj Kavajën, por Tirana ka shumë tituj kampion dhe gjithashtu nga ana financiare nuk matet Tirana me fuqinë e Kavajës. Se ç’mund të ndodhë më vonë nuk i dihet. Ndonjë ofertë e mirë pune mbase në ndonjë doganë mund të më tundonte,(qesh).

Intervista është dhënë në verën e vitit 2005.

Arben Minga (15-katçi) Legjenda BardhebluTitujt me Tironën: 6 herë kampion (1982, 1985, 1988, 1989, 1995, 1996), 4 Kupa të Shqipërisë (1983, 1984, 1986, 1996), 1 Superkupë të Shqipërisë (1994). Shënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar (1985) Tirona & Shqipnia nuk do të harrojn kurr

Posted by Tirona on Saturday, January 31, 2015

[interaction id=”56e99bd351c54f4063ca0938″]

Më shumë nga Futboll