Premier League

Rrëfimi i Carrick: Një 17-vjeçar më vrau ëndrrën…

Michael Carrick ka shpjeguar sesi kalimi i tij te Arsenal në vitin 2004 do të ishte ëndrra e jetës, por nuk u realizua sepse te “topçinjtë” shpërtheu mesfushori spanjoll Cesc Fabregas.

Asokohe, Carrick ishte te West Ham dhe londinezët ranë dakord me klubin e Wenger për shifrën e transferimit, por mesfushori, në momentin që e kupton se ishte drejt kalimit te “topçinjtë”, refuzoi sepse pavarësisht se konsiderohej si një nga mesfushorë më të mirë në qarkullim, i druhej konkurrencës së Fabregas.

Në autobiografinë e tij Carrick shkruan: “Kur po kthehesha në shtëpi mora një tjetër telefonatë. Ishte klubi i Arsenal, që kishte marrë leje nga West Ham dhe unë duhet të takoja Wenger. Unë isha në veri të Londrës në atë moment dhe pas 30 minutash e pashë veten në të njëjtën zyrë me Wenger. Kalimi te Arsenal ishte një ëndërr për mua. Isha i lumtur dhe nuk mund ta besoja se unë mund të bëhesha pjesë e “të pathyeshmëve”, sepse një vit më parë ai ekip e kishte mbyllur kampionatin pa humbje.”

Por më pas, mesfushori që zgjodhi të shkonte te Manchester United shtoi: “Unë fola për rreth një orë me Wenger dhe ai më ftoi në stadium për të parë ndeshjen e Superkupës së Anglisë. Folëm për futbollin dhe ishte i interesuar për mua. Dola nga zyra si njeriu më i lumtur në botë, sepse ishte koha që Arsenali fitonte titullin ose dilte i dyti. Shkova për të parë ndeshjen në Kardif, por atje mu prish kjo ëndërr fantastike.”

Ish-futbollisti i Anglisë, aktualisht pjesëtar i stafit teknik të Mourinho te Manchester United rrëfeu: “Pashë duke luajtur një 17-vjeçar që quhej Fabregas. E pashë për herë të parë, por mënyra si luante dhe mosha e tij më tregoi se nuk mund të shkoja te Arsenal. Unë e dija që mund të zëvendësoja Vieira, por Fabregas më shtangu. Ashtu ka shtangur edhe Wenger. Ai nuk më telefonoi më. Ai kishte kuptuar që mund të bazohej te Fabregas dhe kishte ndërruar mendim. Klubi i Arsenal i tha menaxherit tim se Arsene nuk kishte më nevojë për mua. Isha i trishtuar që mu prish ëndrra, por i dhashë të drejtë, sepse unë vetë mbeta i befasuar nga ajo që mund të bënte spanjolli.”

Më shumë nga Premier League