Kombëtarja

Rrëfimi i shqiponjës Vrioni: “Një italian më bindi për kombëtaren shqiptare. Mora dhuratën perfekte për ditëlindje”

E diel, 14 tetor 2018: Shqipëria humbet 2-0 në Izrael dhe djeg shansin për të shpresuar te kualifikimi për në turin e ardhshëm në Nations League. Të gjithë të mërzitur, ose pothuajse të gjithë, sepse një djalosh 19-vjeçar, Giacomo Vrioni, është në qiellin e shtatë. Xhakomo, për ne shqiptarët, luajti rreth 20 minuta kundër Izraelit, duke u bërë 100% shqiptar, sepse deri të dielën i kishte mundësitë të na braktiste, siç ndodhi me një tjetër talent që pritej të shpërthente, Kabashi. Urojmë që Vrioni të ndjekë një tjetër rrugëtim dhe e ardhmja duket shumë premtuese, duke parë rrugëtimin e sulmuesit tonë të ri, i cili një ditë pas debutimit në Izrael festoi ditëlindjen e 20-të. Një dhuratë fantastike, për një djalosh që deri muajin e shkuar nuk kishte as pasaportë shqiptare dhe pikërisht kundër Italisë veshi për herë të parë fanellën kuqezi dhe shënoi gol, për të debutuar më pas në ndeshje zyrtare me një humbje dinjitoze ndaj Spanjës, ku sërish ra në sytë e të gjithëve.

Gazzetta dello Sport i ka kushtuar një hapësirë të konsiderueshme Vrionit, dy faqe në edicionin e saj lokal për këtë të martë, duke treguar historinë e djaloshit që bashkon dy kultura dhe që Italinë e konsideron shtëpinë e tij, edhe pse është shqiptar 100% dhe e ka bërë zgjedhjen e tij.

Shqipëria dhe Italia, dy vende që Vrioni i ka në zemër, me sulmuesin që e ka lidhur ngushtë karrierën me Italinë, sepse është rritur te Sampdoria dhe vitin e shkuar ishte në huazim te Pistoiese, ndërsa këtë vit është huazuar te Venezia, në Serinë B. Shqipëria, vendi prej ku në vitin 1996 u arratisën prindërit e tij Arben e Rita, ndërsa dy vite më vonë lindi Giacomo. Italia e Shqipëria në fatin e tij, dy vende dhe dy fanella, sepse sulmuesi i talentuar ka luajtur për Italinë U18 dhe U19, ndërsa më pas kaloi te Shqipëria U21 dhe Shqipëria A. Marche është krahina ku është rritur Vrioni, ku familja e tij u përshtat në mënyrë perfekte dhe ku sulmuesi nisi fluturimin. Të hënën u kthye në Mestre, për të festuar ditëlindjen në stërvitje me Venezia-n, aty ku ka takuar një legjendë të futbollit italian, ish-portierin Walter Zenga, i cili gjatë kohës që Vrioni ishte jashtë Italisë mori drejtimin e skuadrës lagunare (u pushua nga puna Stefano Vecchi). E kishte takuar edhe para 3 vitesh, kur “Njeriu Merimangë” drejtonte Sampdorian, por tashmë Vrioni do ta ketë trajner atë që para pak kohësh u përfol edhe si kandidat për drejtimin e Shqipërisë. Prindërit lanë Shqipërinë për Italinë, Giacomo ka ndjekur rrugën e kundërt, por në aspektin sportiv.

DHURATA – “Dhuratën e ditëlindjes ma bëri para kohe Panuçi, duke më lejuar të debutoj në kombëtare pa mbushur 20 vjeç. Emocion i pabesueshëm, nuk e prisja të luaja në Ligën e Kombeve. Isha i ulur në stol, kur më tha të bëhesha gati. Kur do futesha, më kërkoi që të tregohesha sa më i egër në zonë, ashtu si në stërvitje”.

SAMPDORIA – Nga Matelica e vogël në Marche, ku la familjen dhe vëllain Alessio, edhe ky sulmues, Giacomo nisi fluturimin e vet. Te Sampdoria e mori Silvio Pagliari, në vitin 2015, kontrata e parë u firmos deri në vitin 2020, më pas u zgjat deri në 2022. “Te Samp më morën në moshën 17-vjeçare, duhet të falënderoj Giovanni Invernizzi-n që besoi tek unë. Erdhi të më shihte, së bashku me Silvio Pagliari-n, në një ndeshje Sambenedettese-Matelica. Ishte ndeshja e debutimit tim në Serinë D, më morën menjëherë”.

ORIGJINA – Te Sampdoria U17 e drejtonte Ciccio Pedone, i cili si futbollist ishte lideri i Venezia-s së Walter Novellino-s në vitin 1998, vit i ngjitjes në Serinë A. Marche, Liguria dhe më pas Venezia, por me Shqipërinë në zemër. “Gjatë verës, deri kur firmosa për Sampdorian, kthehesha shpesh. Kemi një shtëpi në Durrës dhe atje kaloja verën, me kushërinjtë e mi, në plazh. Vitet e fundit e kam pasur më të vështirë të kthehem, por në këtë javë me kombëtaren kam rigjetur të njëjtin vend që njihja”.

ZENGA – Në vitin 2015, kur firmosi për Samp, Vrioni ka një kujtim të paharruar edhe për faktin se u takua me Walter Zenga-n. “Më grumbulloi për dy miqësore, në shtator, kundër Entella-s dhe Savona-s. I lashë një përshtypje të mirë, aq sa për disa ditë u stërvita me ekipin e parë. Është një trajner me eksperiencë të madhe dhe karakter të shkëlqyer. Nuk e kam përjetuar personalisht atë që ka ndodhur te Venezia javën e shkuar, por ndihesha mirë me trajnerin Vecchi”.

TRAJNERËT – Alban Bushi i dha një fanellë titullari në Cagliari, kundër Italisë, dhe Vrioni ia shpërbleu, duke shënuar ndaj Italisë U21. “Debutimi me Shqipërinë U21 ishte i çuditshëm: në Itali dhe kundër axurrëve. Ishte si të sfidoja një pjesë të vetes sime, edhe goli më krijoi një ndjesi të çuditshme. Ishte një shenjë e fatit”. Më pas Panuçi dhe debutimi në Izrael: “Është meritë e tij nëse zgjodha Shqipërinë për të luajtur në nivel kombëtaresh A. Në javët e fundit më ka telefonuar pa fund, duke më bërë të ndihem i rëndësishëm”.

FAMILJA – Giacomo Vrioni është shumë i lidhur me familjen e tij. “Falë prindërve të mi, kam ruajtur një lidhje të fortë me vendin tim të origjinës. Ishin jashtëzakonisht krenarë për debutimin tim në kombëtare: u dhanë një gëzim të paparë. Kam marrë qindra mesazhe pas ndeshjes së Shqipërisë. Më i veçanti? Më mallëngjeu një mesazh nga mamaja ime Rita pas ndeshjes. Në fund të ndeshjes telefonatën e parë e pata me të: doja të dëgjoja zërin e prindërve”.

RONALDO – Vrioni dhe Zenga, “ish” te Sampdoria, por edhe tifozë të thekur të Interit. “Jam dashuruar me futbollin dhe jam bërë tifoz me Interin për faj të xhaxhait tim Arian, i cili kur isha i vogël më tregonte videot e Ronaldos. Isha i çmendur pas tij: ishte fenomenal, unik. Më pëlqen shumë edhe Ibrahimovic, por fenomeni ishte tjetër kategori”. Tani Vrioni e ka mendjen te Venezia e tij: “Jam mirë, ndihem gati, duhet të dalim sa më shpejt nga kjo situatë në renditje. Na pret Verona, Zenga do na japë karikimin e duhur”.

Më shumë nga Kombëtarja