Futboll

Salihi: “Treguam në fushë shpirtin e Skënderbeut, Teuta e vështirë por duhet kaluar”

I rikthyer te goli, bomberi shkodran Hamdi Salihi ishte protagonist kryesor në fitoren e fundit që skuadra e Skënderbeut regjistroi ndaj Vllaznisë, për tu rifutur në garën për kreun e klasifikimit dhe mbrojtjen e titullit kampion, që tashmë më shumë se kurrë është në varësi të vetë klubit korçar. I kënaqur për dy golat e realizuar, me një kuptim të veçantë pasi janë shënuar ndaj ish-skuadrës së tij dhe në një fitore shumë të rëndësishme për Skënderbeun, Salihi dhe i gjithë ekipi korçar u desh të përballej edhe me anën tjetër të medaljes, dyshimet për atë fitore me përmbysje të arritur në minutat shtesë me rezultatin e rrallë për Superligën Shqiptare, 4-3. Në prag të përballjes në transfertë ndaj Teutës, Salihi ka komentuar situatën aktuale në aspektin personal dhe atë kolektiv për çështjet e ditës.

“Ishte jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi duhej me çdo kusht fitorja dhe arritëm ta marrim duke treguar shpirtin dhe karakterin, ashtu si për ekipin, patjetër që edhe për mua si sulmues shënimi i golave është diçka e mirë që më ndihmon. Më vjen keq t’u përgjigjem këtyre aludimeve, jetojmë në Shqipëri dhe duhet të jetojmë edhe me ato. Më vjen keq edhe për çunat e Shkodrës që shkojnë aty dhe në vend t’i përgëzojnë për lojën i vënë edhe ata në siklet duke u hedhur baltë, gjithsesi jetojmë në Shqipëri dhe nuk ka asgjë të vërtetë në ato që u thanë, përvec shpirtit dhe asaj që u pa në fushë”, komentoi sulmuesi shkodran i Skënderbeut momentet pozitive dhe ato negative të ndeshjes ndaj Vllaznisë.

 “Për mua Teuta është një nga ekipet më të vështira pasi ka një trajner që di ta rreshtojë mirë ekipin, por nëse duam të arrijmë aty ku duam, na duhet që t’i fitojmë edhe këto sfida. Që pas ndeshjes me Partizanin ne jemi fokusuar te ndeshjet tona dhe që atëherë vazhdon e njëjta situatë. Duhet të fitojmë ndeshjet tona dhe ka shumë punë përpara, ndaj duhet të vazhdojmë me kokën ulur për të fituar çdo takim. Ne kur humbim, sikurse kemi humbur edhe me këto ekipe kemi ulur kokën, kështu do të vazhdojmë të shikojmë punën tonë”, deklaroi ndër të tjera Salihi, në lidhje me ndeshjen e të mërkurës ndaj Teutës.

Më shumë nga Futboll