Futboll

Sampaoli i thotë të gjitha: Çdo ndeshje një torturë, Argjentina po vetëshkatërrohet

Jorge Sampaoli u largua nga drejtimi i Argjentinës pas dështimit në Kupën e Botës dhe që atëherë nuk ka folur. Intervista e tij e parë ka ardhur këtë javë, me trajnerin e njohur që ka folur për spanjollen Marca, duke prekur çdo temë në lidhje me kombëtaren dhe krizën e thellë të Argjentinës.

HESHTJA – “Mora një periudhë pushimi total, për të analizuar atë që ndodhi në Botëror. Kisha nevojë të qartësoja gjërat në mendjen time, para se të mendoja për të ardhmen. Nuk u fsheha, përkundrazi, jeta ka vazhduar normalisht dhe askush nuk më ka kritikuar kur më ka pasur përballë”.

LEKSIONI – “Ishte një vit me kombëtaren ku kishte detyrim të mënjehershëm për sukses, për të fituar Kupën e Botës, dhe kjo krijonte presion të jashtëzakonshëm. Skuadra ishte e stresuar, barra ishte tepër e rëndë për të pasur mundësi që të shfaqej talenti. Ishte një vuajtje konstante, nuk ishte më thjesht një lojë. Punuam shumë, udhëtuam pa fund dhe takuam çdo lojtar, por në fund nuk patëm sukses, sepse detyrimi për të qenë kampion bote shkatërroi gjithçka. Çdo ndeshje ishte një torturë, edhe pse u përgatitëm mirë për Botërorin.

PROBLEMET E BRENDSHME – “Mbledhjet mes futbollistëve ishin thjesht për të përmirësuar gjërat. Nuk është problemi te mbledhjet, problemi ishte se ato bëheshin publike më pas. Edhe Argjentina ’86 bënte mbledhje të vazhdueshme, por u zbulua 20 vite më vonë. Ne bashkoheshim për të kërkuar zgjidhje, por nëse gjithçka përfundon në televizion apo në celular, atëherë ndodh e kundërta dhe mungonte besimi. Mascherano merrte vendime? Nuk ishte një gabim, ishte një vendim i ndershëm për të mbajtur grupin të bashkuar, për t’i dhënë një zë. Nuk kam asnjë peng, bëra gjithçka munda dhe nuk e kritikoj dot veten.

KRITIKAT – “Nuk më dhembin, janë normale, ashtu si pritshmëritë. Kur e mora drejtimin, kisha 95% të njerëzve në favor, ndërsa pas Botërorit fituan kritikat, sepse të gjithë prisnin të fitonim Kupën e Botës. Nuk i mbaj mëri askujt.

MESSI – “Lojtar i pabesueshëm, i cili jepte gjithçka dhe vuante shumë kur nuk fitonim. Lojtari më i mirë në histori ishte i përkushtuar në maksimum dhe e vuante si askush pamundësinë e suksesit, i peshonte shumë moralisht. Të pasurit në ekip të lojtarit më të mirë në botë ka kërkesa maksimale, nuk të lë hapësira për gabim, por jo gjithnjë ia dolëm mbanë. Katar 2022? Messi do jetë 35 vjeç, por duhet një proces, duhet organizim dhe projekt që të vijojë. Mjaft me çmendurinë që nëse nuk fiton, je një dështak. Argjentina ecën me teorinë e suksesit urgjent dhe kjo e ka çuar në greminë. Messi vjen nga një klub i madh në Spanjë, ku ka stabilitet, ndërsa në Argjentinë ndryshimet e trajnerëve janë një modë e përjavshme, askush nuk duron, nuk ndërtohet asgjë.

ICARDI E DYBALA – “Sapo mbaruan kualifikueset erdhi Botërori, nuk patëm koha për prova e eksperimente dhe kjo ishte një nga arsyet pse nuk dhamë 100% ndoshta. Kishim nevojën për të fituar menjëherë dhe kishim lojtarë që vinin nga Botërori 2014, me eksperiencë të rëndësishme, ndaj besova tek ata.

FUTBOLLI AKTUAL – “Ka shumë ndeshje, tepër, por pak futboll të pastër. Më parë luhej më shumë futboll i vërtetë, me pak ndeshje. Aktualisht ndjek me vëmendje gjithë kampionatet e mëdhenj, më pëlqejnë Chelsea i Sarrit, City i Guardiolës, natyrisht Barcelona e Reali, si dhe më duket interesant Betisi i Setien”.

Më shumë nga Futboll