Europa League

Sant Julià, një kundërshtar i kalueshëm për korçarët

Sot në mesditë në Nyon të Zvicrës është hedhur shorti për raundin e parë kualifikues të “Europa League”, ku Skënderbeu është njohur me kundërshtarin e parë. Do të jetë ekipi nga Andorra, UE Sant Julià, rivali i “Ujqërve”. Takimi i parë do të zhvillohet në Korçë më 29 qershor, ndërsa kthimi në transfertë, më 6 korrik. Kundërshtarët nga Andorra janë krijuar si klub në vitin 1982. E mbyllën sezonin futbollistik 2016-2017 në vendin e 2-të, ndërkohë që kanë fituar 2 herë kampionatin dhe 5 herë kupën e vendit të tyre që prej krijimit të Ligës në vitin 1995. I vetmi sukses në arenën europiane i përket vitit 2010, kur në raundin e parë të “Champions League” skualifikuan ekipin Tre Fiori nga San Marino, me penallti, pasi 2 takimet e para u mbyllën me rezultat të përgjithshëm 1-1. Më pas, në raundin e 2-të, u skualifikuan nga kampionët e Bullgarisë, Levski Sofia. Sant Julia i luan ndeshjet në stadiumin “Camp d’esports d’aixovall” në qytetin Sant Julia de Loria, me një kapacitet prej 1000 vendesh të ulura. Portokallia është ngjyra tradicionale e klubit nga Andorra.

 

Më shumë nga Europa League