Volejboll

Sava Thaka transferohet në Sllovaki, sezonin tjetër luan me BK 97 Stova

Volejbollistja e talentuar shqiptare Sava Thaka do të luajë në Sllovaki sezonin e ardhshëm sportiv 2017-2018, duke firmosur sot një kontratë me skuadrën e BK 97 Stova. Lajmin e ka konfirmuar vetë volejbollistja korçare, që ka deklaruar se e pret një aventurë e re, këtë herë në një kampionat të ri, siç është ai i Sllovakisë. Thaka sezonin e kaluar debutoi në një kampionat jashtë Shqipërisë, ku u aktivizua në Poloni, me ekipin e KSZO Ostrowiec. Paraqitja e mirë në këtë kampionat, por edhe në ekipin kombëtar, ka bërë që Thaka të ketë disa oferta, duke zgjedhur të luajë në Sllovaki.

Sava Thaka me valixhet gati… drejt Sllovakise

Edhe klubi sllovak BK 97 Stova, në faqen e tij zyrtare “Facebook”, ka konfirmuar ardhjen e volejbollistes shtatlartë shqiptare, së bashku me një bjelloruse, që janë edhe dy përforcimet e para për sezonin e ri. Klubi sllovak e vlerëson si shumë të rëndësishëm këtë transferim të Thakës, që do të jetë një lojtarë kyçe si në kampionat ashtu dhe në arenën ndërkombëtare. Korçarja bëhet lojtarja e dytë shqiptare që konfirmohet se do të luajë jashtë sezonin e ri, pasi pak ditë më parë Erblira Bici rinovoi kontratën e saj në kampionatin italian, me ekipin e LPM Mondovi.

Më shumë nga Volejboll