Connect with us

Kombëtarja

Seferi: Maqedonia më rriti, Shqipëria është zgjedhje zemre

Taulant Seferi ka braktisur kombëtaret maqedonase për t’iu bashkuar kuqezinjve të drejtuar nga Alban Bushi.

Taulant Seferi ka braktisur kombëtaret maqedonase për t’iu bashkuar kuqezinjve të drejtuar nga Alban Bushi. 20-vjeçari thotë se ka zgjedhur me zemër, duke luajtur për ngjyrat e kombit. Në një mesazh të publikuar prej tij, futbollisti i Young Boys, ka qartësuar përfundimisht situatën, teksa një ditë më parë ai figuronte i ftuar për miqësoren e radhës edhe nga Maqedonia: “Të nderuar miq, ditëve të fundit emri im është përmendur shumë në media dhe, duke dashur t’u jap fund spekulimeve dhe paqartësive, kam ndjerë nevojën për të dalë me një qëndrim publik, në të cilin do të qartësoj gjithçka në lidhje me të ardhmen time.

Kohëve të fundit edhe unë kam qenë në një udhëkryq, pasi është dashur të marr një vendim të rëndësishëm për vazhdimin e karrierës. Deri tani kam luajtur për Maqedoninë, ndërsa kohë më pare, në adresën time erdhi ftesa për të përfaqësuar Shqipërinë. Duke pasur respekt maksimal për vendin tim të lindjes, që më ka dhënë shumë edhe në karrierën si futbollist, edhe me përfshirjen e rregullt prej gjithë kategorive rë reja, deri në përfaqësuesen A, pra ka kontribut të madh në zhvillimin tim të deritashëm, e kam patur shumë të vështirë të marr një vendim të prerë.

Në njërën anë ishte respekti dhe mirënjohja për Maqedoninë, ndërsa në anën tjetër zemra dhe dëshira për të përfaqësuar përfaqësuesen e kombit tim, Shqipërinë. E kemi analizuar mirë këtë situatë dhe bashkë me familjen time kemi vendosur që në të ardhmen të përfaqësoj Shqipërinë. Do Zoti të kem sukses, me shpresë që këtë vendim timin ta mirëkuptojnë të gjithë. Me këtë rast dua t’i falënderoj publikisht të gjithë në Federatën e Futbollit të Maqedonisë, sepse gjithmonë kanë qenë me mua. Maqedonisë i uroj shumë suksese në të ardhmen, ndërsa unë do të koncentrohem që ambiciet e mia t’i realizoj përmes fanellës kuqezi”.

Më shumë nga Kombëtarja