• Selimaj: Ky është momenti im, dua t’i shërbej Vllaznisë

    Publikuar: 18 Mar 2:15

    Paraqitjet e tij në dy ndeshjet e fundit kanë bërë që drejtuesit e skuadrës ta përgëzojnë. Dhe jo më kot, portieri Erind Selimaj sot ka qenë përkrah trajnerit Cungu, i përzgjedhur për të dalë para gazetarëve në konferencën për shtyp. I pyetur për këtë pritje të gjatë, për të demostruar vlerat e tij, ai ka thënë: “Roli i portierit nuk është si i të tjerëve në fushë. Natyrisht që janë dy apo tre portierë të gatshëm në një skuadër dhe njëri do të luajë. Unë kam pritur momentin tim dhe jam i kënaqur që jap kontribut për Vllazninë. Kuptohet që kur merr edhe vlerësimet pozitive të trajnerit, kjo më motivon më shumë, për të bërë gjëra të mira edhe në të ardhmen. Kam punuar shumë me profesor Avenirin (Danin) për të kapur formën time më të mirë dhe tashmë më duhet ta mbaj atë sa më gjatë”.

    Ndërkohë, Selimaj ka folur edhe për takimin e nesërm ndaj Teutës: “Nuk mendoj se ka ngjashmëri mes ndeshjes së kupës, ndaj Teutës, dhe kësaj të kampionatit. Kjo është një sfidë krejt tjetër, në të cilën nuk ke mundësi të mendosh asnjë rezultat tjetër përveç fitores. Me formën që ka treguar Vllaznia në ndeshjet e fundit, natyrisht që do të kërkojmë të marrim trepikëshin e shumëpritur. Besoj se me të do të kënaqim edhe tifozët në shkallët e stadiumit”.


    Lexo postimet e tjera