Tenis

Serena Williams: Nuk vendos limite, rikthehem për të fituar sërish

Tenistja amerikane Serena Williams, ish-numri 1 në botë dhe jashtë fushave prej më shumë se një viti, do të rikthehet të luajë në Federation Cup, ku do të riveshë fanellën e kombëtares amerikane, në duelin e raundit të parë të këtij turneu ndaj Holandës. Motra e vogël e familjes Williams nuk është ende në 100% të formës, ndaj ka vendosur që të debutojë në lojën dyshe, bashkë me motrën e madhe Venus. Gjithsesi, prania e saj në fushë do të vendoset nga trajneri ditën e diel, pasi të shtunën do të luhen dy ndeshjet teke dhe më pas ajo dyshe. “Mendërisht jam gati, jam bërë nënë dhe kjo ka qenë një periudhë e shkëlqyer për mua. Ndoshta kjo është periudha më e bukur e jetës time, nje përvojë e re dhe uroj të jem një nënë e mirë gjithë jetën”, tha Serena Williams.

Jam përqendruar te këto ndeshje të Federations Cup dhe nëse do të kem mundësi do të luaj. Është një mundësi e mirë për të luajtur, një shans për të bërë një rikthim jo shumë impenjativ. Jam stërvitur shumë dhe shpresoj që së shpejti të kap formën optimale, pa vendosur limite në atë që synoj për të ardhmen”, u shpreh tenistja amerikane, që nuk mohon se ëndrra për të fituar 25 grand sleme, si askush, mbetet një objektiv. “Për momentin po shijoj këtë rikthim në fushë. Të fitosh 25 grand sleme është diçka fantastike, një objektiv që më pëlqen ta arrij, pa vendosur limite. Kjo është një situatë ku do të kem edhe luhatje në lojë, por duhet të mësohem me këtë fakt. Ajo që dëshiroj më shumë tani është luaj tenis, sa më shumë për të qenë gati për eventet e mëdha”, tha Williams.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Tenis