La Liga

Sergio Ramos, ja pse është qendërmbrojtësi më i mirë në botë

Sergio Ramos mbetet “mbreti” për kolegët e tij. Për sezonin e tetë radhazi, kapiteni i Real Madrid dhe kombëtares spanjolle është zgjedhur nga lojtarët e gjithë botës në formacionin ideal të vitit dhe sot do të shpallet në mbrëmjen gala të Londrës.

Gjithsej, janë nëntë prezenca të mbrojtësit qendror në këtë 11-she më të mirë, por që nga viti 2011 nuk bie nga kjo përzgjedhje. Në vitin 2008, ai ishte zgjedhur së bashku me Gerard Pique, por në dy edicionet e mëpasshme u zhduk, i kushtëzuar nga paraqitjet e këqija të Real Madridit.

Sergio Ramos ka mënyrën e tij të të kuptuarit të futbollit, ku spikat shpirti konkurrues dhe përkushtimi, çka e bën atë të shënojë shumë herë, edhe pse është mbrojtës. Kjo është mënyra e tij për të kuptuar futbollin dhe nuk do të ndryshojë.

19 tituj e zbukurojnë historinë e tij të bardhë, të cilëve duhet t’u shtojmë dy Kampionate Europianë me Spanjën dhe një Kupë Bote, në Afrikën e Jugut. 571 paraqitje për Real Madridin dhe 158 me kombëtaren portretizojnë më së miri një lojtar, që ka qenë lider për të gjithë trajnerët, që nga Sevilla, herën e parë, dhe më pas në 14 vitet e fundit, në ekipin e Real Madridit.

Me kombëtaren e ka nisur nën drejtimin e Luis Aragonés, për të vijuar me Del Bosque, Lopetegui, Hierro dhe së fundi Luis Enrique. Me praninë e sotme në 11-shen ideale të FIFA-s, Ramos është i barabartë me Iniesta, me nëntë përfaqësime. Casillas, me gjashtë përfaqësime radhazi në formacionin më të mirë të vitit është i treti i spanjollëve.

Asnjë qendërmbrojtës tjetër nuk është afër numrit të përfaqësimeve të kapitenit të Real Madridit në “The Best”. Që nga viti 2005, kur u zgjodhën për herë të parë më të mirët nga FIFA, John Terry ka gjashtë pjesëmarrje në formacionin më të mirë, ndërsa Pique katër, sa iu takon qendërmbrojtësve.

Më shumë nga La Liga