Futboll

Sërish telashe për Arsenal, dëmtohet edhe Sanchez

Telashet nuk kanë të përfunduar për skuadrën e Arsenal, që rrezikon të mos ketë deri në fund të sezonit sulmuesin kilian Alexis Sanchez. Ai u dëmtua dje në humbjen 3-1 që “topçinjtë” pësuan në fushën e WBA-së. Sanchez realizoi golin e barazimit provizor, por më pas u detyrua të dalë nga fusha pas një dëmtimi. Lajmin e këtij dëmtimi të rëndë e konfirmoi trajneri Arsene Wenger, që tha se bëhet fjalë për një problem serioz. “Në pjesën e parë humbëm Petr Cech dhe më pas humbëm edhe Sanchez. Dëmtimi i Alexis ndodhi që në pjesën e parë, shtrëngoi dhëmbët dhe vazhdoi të luante, por më pas ishte e pamundur që të luante më”, tha Wenger.

Trajneri Wenger nxjerr Alexis Sanchez te demtuar nga fusha

Më tej, trajneri i Arsenalit, në lidhje me problemin e sulmuesit kilian, shtoi: “Kyçi i këmbës nuk duket në gjendje të mirë. Do të shohim situatën dhe do të vlerësojmë gjendjen e tij”, tha trajneri i “topçinjve”, por duket se kiliani nuk do të udhëtojë në vendlindje për të luajtur në ndeshjet e radhës me ekipin kombëtar ndaj Argjentinës dhe Venezuelës. Trajneri pranon se lojtari nuk duhej të kishte luajtur në pjesën e dytë, por e mbajti Sanchez në fushë edhe pse ai ishte i dëmtuar. “Ai nuk duhej të luante në 45 minutat e dyta, por insistoi se do të zbriste në fushë. Ne do të shohim të hënën gjendjen dhe nëse dëmtimi është i rëndë nuk do të luajë me kombëtaren. Nëse dëmtimi është i lehtë, mund të luajë”, tha trajneri Wenger.

Më shumë nga Futboll