Champions League

Sevilla e Montella-s eliminon United-in e Mourinho-s, Roma “përmbys” Shakhtar-in

Sevilla e Vincenzo Montella ka tronditur Manchester United e Jose Mourinho-s. Spanjollët, të cilët kanë qenë të pafat në ndeshjen e parë të 1/8-ve të Champions League, edhe falë një paraqitje të jashtëzakonshme të David De Gea, kanë mposhtur 2-1 anglezët në “Old Trafrford” mbrëmjen e sotme.

Pas një pjese të parë të mbyllur në barazim 0-0, gjithçka ka ndodhur në të dytën. Ben Yedder ka zhbllokuar ndeshjen në minutën e 74-t me një goditje të shpejtë dhe të saktë ndaj së cilës De Gea nuk ka pasur mundësi të bëjë asgjë. Portieri i United, i cili ka qenë heroi i takimit të parë, i ka dhuruar golin e dytë miqve duke devijuar në rrjetë në mënyrë të pashpjegueshme goditjen e Yedder në minutën e 78-të.

Reagimi i anglezëve ka ardhur në minutën e 84-t me një gol të Romelu Lukaku-t. Lojtarët e Mourinho janë hedhur në sulm në minuta e mbetura për të kërkuar golin e barazimit, por tentativat e vendasve kanë qenë të kota. Sevilla befason dhe kalon në çerekfinale.

Në ndeshjen tjetër të mbrëmjes së sotme, Roma ka arritur të përmbysë humbjen 2-1 të pësuar 3 javë më parë në Ukrainë dhe ka mundur Shakhtar Donetsk 1-0 në “Olimpico”, Verdhekuqtë kanë siguruar kështu një vend mes tetë më të mirave të Champions League.

Fitorja e italianëve ka qenë e merituar dhe mund të kishte qenë më e thellë, nëse lojtarët e Eusebio Di Francesco-s do të kishin shfrytëzuar isç duhet rastet e shumta të krijuara në pjesën e dytë. Në këtë pjesë ka ardhur edhe goli që ka vendosur sfidën. Kevin Strootman ka dhënë një pasim të bukur për Dzeko, me këtë të fundit që nuk ka gabuar dhe ka shënuar duke kaluar topin mes këmbëve të portierit.

Në minutën e 79-të miqtë kanë mbetur me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të marrë nga Ordest. Rezultati ka mbetur i pandryshuar deri në fund dhe verdhekuqtë kanë marrë kështu fitoren e tretë radhazi në të gjitha kompeticionet, ndërsa ukrainasit kanë konfirmuar edhe një herë se janë një skuadër që nuk di të fitojë jashtë fushës. Në fakt, kjo ka qenë humbja e 7 në 8 transfertat e fundit të luajtura nga Shakhtar në Champions League.

Më shumë nga Champions League