Champions League

Sevilla “shtang” Liverpool, barazon 2-2 në “Anfield”

Liverpool nuk ka arritur të hakmerret ndaj Sevilla-s, skuadra që i mundi anglezët në finalen e para dy viteve të Europa League. Spanjollët, në fakt, kanë arritur të largohen me një pikë shumë të çmuar nga “Anfield” në ndeshjen e parë të Grupit E. Ndeshja ka filluar menjëherë keq për vendasit, kanë parë veten në disavantazh pas vetëm pesë minutash lojë. Një gafë e mbrojtjes i ka dhënë mundësinë Ben Yeder të kalojë në avantazh bardhekuqtë.

Reagimi i “Të Kuqve” ka ardhur në minutën e 21-të, kur Firmino ka barazuar rezultatin pas një aksioni të bukur të ekipit. Përmbysja e vendasve është kompletuar në minutën e 37-të me një gol të Salah. Ky moment është shoqëruar me polemika, pasi lojtarët e Sevilla-s kanë protestuar për një faull të shkaktuar nga Salah para realizimit të golit. Tri minuta para fundit të pjesës së parë Liverpool mund të kishte shënuar edhe golin e tretë, por Firmino është treguar i pasaktë nga pika e bardhë e penalltisë.

Një gabim ky që i ka kushtuar shtrenjtë ekipit të tij, duke parë se Sevilla ka barazuar takimin në minutën e 72-të me Correa, duke fiksuar shifrat në 2-2. Vendasit e kanë mbyllur ndeshjen me 10 lojtarë pas kartonit të dytë të verdhë të marrë nga Gomez në minutat e fundit. Edhe ndeshja tjetër e këtij grupi, ajo e luajtur në Slloveni mes Maribor dhe Spartakut të Moskës, është mbyllur në barazim 1-1.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga Champions League