Futboll

Sforcimi i Partizanit, zbuloni çfarë page të majme merr Moggi

Sforcimi i Partizanit, zbuloni çfarë page të majme merr Moggi

Kur erdhi te Partizani pak muaj më parë, Luciano Moggi deklaroi se nuk ka pagë dhe se këtë do ta vendosë presidenti Gaz Demi vetëm kur skuadra të nisë të korrë suksese. Madje, ai nuk e nisi as si drejtor i përgjithshëm (de facto, sot i tillë është), por si këshilltar apo “ndihmës” në rritjen e imazhit të klubit.

“Sport Ekspres” ka arritur të zbulojë pagën e italianit, që është shumë e lartë. Sipas gazetës, po flasim për 150 mijë euro në vit, apo 12,5 mijë euro në muaj. 80-vjeçari ndoshta nuk e ka synim primar aspektin financiar në kryeqytet, por oferta e Partizanit ka qenë joshëse për të.

Moggi është më i paguar se çdo lojtar tjetër i Partizanit, me përjashtim të Edgar Çanit (20 mijë euro në muaj, siç ka bërë me dije me kohë gazeta “Panorama Sport”). Përfitimet e tij janë të paktën pesë herë më të mëdha se çdo drejtor i mëparshëm i klubit të kuq.

Do të jetë interesante të shohim se si do të reagojë presidenti Demi, në rast se Partizani nuk do të arrijë të fitojë titullin kampion as me një ekspert si Moggi. Sforcimi financiar i klubit për sezonin e ardhshëm duket qartë se është i madh.

 

Më shumë nga Futboll