Kampionati Shqiptar

Shameti: Ta zgjidhim gjithçka që në ndeshjen e parë me Valleta

Sot, në orën 19:00, në stadiumin “Loro Borici”, Kukësi do të luajë ndeshjen e parë të turit të parë eliminator të Ligës së Kampionëve, kompeticion europian, ku përfaqëson Shqipërinë. Përballë verilindorëve do të jenë maltezët e Valleta. Në prag të kësaj përballjeje, kapiteni Ylli Shameti ka folur në një konferencë për shtyp nga kryeqendra e veriut, ku ka nënvizuar mes të tjerash:

“Përderisa luajmë ndaj një ekipi të vendit të parë, atëherë është një ndeshje e vështirë. Ne jemi përgatitur për të dhënë maksimumin ndaj Valleta. Tashmë shpresojmë vetëm që të zgjidhim gjithçka që në ndeshjen e parë.

Ne jemi përgatitur teknikisht, taktikisht dhe fizikisht. Është momenti që t’i shkarkojmë të gjitha bateritë në fushën e lojës. Disa ditë më shumë përgatitje do të ishin më mirë, pasi kemi pasur shumë prurje. Megjithatë, ne jemi të gatshëm për ndeshjen.

Valleta është kundërshtar i lehtë për gazetarët, jo për ne. Nëse do pyesin klubin e Valleta për Kukësin, do të thonë që ne jemi një kundërshtar i thjeshtë. Nuk duhet as t’i nënvlerësojmë dhe as mbivlerësojmë kundërshtarët. Të shfrytëzojmë pikat tona të forta dhe pikat e dobëta të tyre, për të zgjidhur ndeshjen”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar