• Shaqiri: Pep ishte special, por shumë kërkues

    Publikuar: 20 Dec 1:00

    Xherdan Shaqiri rrëfen se Pep Guardiola ishte një person special, por shumë kërkues. 25-vjeçari me origjinë kosovare ka përjetuar një periudhë testimi nën drejtimin e katalanasit, kur ky i fundit ishte trajneri i Bayern Munich. Guardiola mori drejtimin e kampionëve të Gjermanisë në verën e 2013-s, menjëherë pasi nga stoli bavarez u largua me tre trofe (titullin, Kupën e Gjermanisë dhe Ligën e Kampioneve) legjendari Jupp Heynckes. “Stërvitja që Pep na bënte ishte speciale, e hollësishme dhe shumë kërkuese. Ne bënim gjithçka me topin. Me Heynckes, gjatë përgatitjes duhet të vraponim si lepuj të frikësuar, tri herë në ditë. Dhe secili ishte 100% në formë”, – u shpreh Shaqiri në një intervistë për “Spox”.

    xherdan-2

    Xherdani numëron 39 prezenca në të gjitha kompeticionet, me Bayern Munich në sezonin 2012-2013. Megjithatë, nën drejtimin e Guardiola-s, zvicerani e pa veten në zbritje dhe në janar 2015 iu bashkua Interit.  “Situata ime nën drejtimin e Pep Guardiola-s ndryshoi, por nuk kam pasur asnjëherë probleme me të. Për fat të keq vuaja nga dëmtimet. Isha i pakënaqur, sepse kisha luajtur shumë ndeshje më parë, duke dhënë kontributin tim në sezonin kur fituam tre trofetë. Por më pas lojtarë të tjerë u aktivizuan nga stoli përpara meje, edhe pse nuk kishin dhënë sa unë për skuadrën. Kjo ishte zhgënjyese, sigurisht, edhe pse isha gati t’i tregoja trajnerit se kishte gabuar”, – tha Shaqiri i cili në janar të 2015-ës mbërriti në Milano tek Interi asokohe i trajnerit Roberto Mancini.

    xherdan-at-stoke

    Por aventura e Shaqirit me Interin nuk shkoi ashtu siç pritej, duke zgjatur vetëm 6 muaj. Në merkaton e verës 2015 lojtari firmosi për Stoke City. Blerja e tij u konsiderua një goditje për Stoke, me të cilin zvicerani firmosi një kontratë 5-vjeçare. Ndërkohë, këtë sezon ka shënuar tre gola me Stoke, në 11 prezenca në fushë, duke e ndihmuar skuadrën e  trajnerit Mark Hughes të ketë një ecuri pozitive; vetëm 2 humbje në 12 ndeshjet e fudnit të Premier League. Aktualisht Stoke City është në vendin e 11-të të klasifikimit, ndërsa ndeshjen e radhës e ka me Liverpool, më 27 dhjetor.


    Lexo postimet e tjera