Kampionati Shqiptar

Shehi: Momenti më i keq i karrierës? Kur humba titullin me Partizanin

Orges Shehi ka ngritur një tjetër trofe me Skënderbeun. Në moshën 40-vjeçare, portiere durrsak nuk pranon ende t’i varë dorezat në gozhdë. Pas fitimit të Kupës së Shqipërisë, ai ka folur për mediat, duke mos zbardhur të ardhmen e tij: “Një tjetër trofe për mua. E kam fituar për herë të katërt Kupën e Shqipërisë dhe jam shumë i lumtur. Kemi mbyllur një vit shumë impenjativ në fushë, por njëkohësisht edhe shumë rezultativ, pasi kemi fituar dy trofe dhe kemi realizuar objektivat në Europë.

Këtë trofe, fillimisht ia dedikoj qytetit të Korçës dhe tifozërisë së Skënderbeut. Pas 7 kampionatesh, mendoj se ia kishim borxh një Kupë qytetit dhe nuk mund të gabonim një tjetër finale, pas asaj të vitit të kaluar. Gjithsesi, ishte një sukses i të gjithë skuadrës, që ka punuar me përkushtim dhe ka dhënë gjithçka nga ndeshja në ndeshje.

Momenti më i bukur në këto vite? Ka pasur shumë momente të tilla, në gjithë karrierën, por edhe të këqija, si me Partizanin, kur humbëm kampionatin. Emocionet që na ka dhënë “Europa League” kanë qenë të shumta, por besoj se ndeshja me Mladën ka qenë e jashtëzakonshme.

E ardhmja? Është një vendim që do ta marr këto ditë dhe do t’ju njoftoj patjetër. Për momentin ende nuk e di nëse do të vijoj apo do të tërhiqem. Analiza e sezonit që u mbyll? Përveç Skënderbeut, Luftëtari ka bërë një sezon mjaft të mirë, por edhe Laçi, që me shumë djem të rinj, ka luajtur një futboll shumë të bukur. Edhe sa iu përket futbollistëve, ishin disa lojtarë, si Abazaj, Bregu, Guri, etj., që zhvilluan një sezon mjaft të mirë, duke qenë protagonistë”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar