Champions League

Shfaqje në “San Paolo”, City mposht Napolin, Shakhtar pranë kualifikimit…

Shfaqje në “San Paolo”, City mposht Napolin, Shakhtar pranë kualifikimit…

Manchester City ka fituar 4-2 në Napoli, duke siguruar kualifikimin për në raundin e ardhshëm të Champions League, 180 minuta para fundit të fazës me grupe. Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola i ka fituar të katër ndeshjet e luajtura në Grupin F. Napoli kaloi i pari në avantazh me anë të Lorenzo Insigne, por pjesa e parë u mbyll 1-1, pasi miqtë barazuan me goditjen me kokë të Nicolas Otamendi. Në minutën e tretë të pjesës së dytë, City goditi sërish në të njëjtën mënyrë, teksa John Stones shënoi me kokë gjatë një goditje nga këndi.

Jorginho, vuri sërish baraspeshën në “San Paolo”, ku duhet thënë se u luajt një nga ndeshjet më të bukura të këtij edicioni të Champions League. Braziliani i natyralizuar si italian tundi rrjetën me penallti. Gjithsesi, Manchester City e gjeti golin e fitores, 20 minuta para fundit, me anë të Sergio Aguero, i cili nuk gaboi përballë portierit Pepe Reina. Ky ishte goli numër 178-të i argjentinasit me Manchester City, ku është bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në historinë e këtij klubi. Në shtesë Sterling kompletoi “pokerin” e anglezëve. Humbja 2-4 zbeh mundësitë e Napoli për t’u kualifikuar në 1/8-t e finaleve.

Ndërkohë, Shakhtar Doneck ka fituar me përmbysje 3-1 ndaj Feyenoord Roterdam dhe mban vendin e dytë të Grupit F me 9 pikë. Ukrainasit përsëritën suksesin, që arritën dy javë në parë në Holandë, edhe pse ishin miqtë që shënuan shërish të parët me anë të Nicolai Jorgensen. Ferreyra dhe Marlos përmbysën gjithçka me dy gola në harkun e dy minutave, ndërsa Marlos realizoi edhe golin e tretë, kur u mbush një orë lojë. Shakhtar do të kualifikohet për në 1/8-t e finaleve nëse shmang humbjen në ndeshjen e ardhshme në “San Paolo”.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga Champions League