Premier League

Shifrat e Wenger: 1228 ndeshje, 10 trofe dhe 124 rivalë, por kush janë pesë ekipet që nuk i ka mposhtur kurrë?

“Mbretëria” 22-vjeçare e Arsene Wenger si trajneri i Arsenal do të mbyllet verën e ardhshme, me francezin që deklaroi sot se ky aktuali është sezoni i tij i fundit në Veri të Londrës.

Largimi i tij i jep fund trajnerit të fundit “jetëgjatë” në Premier League, me Wenger që ka punuar në të njëjtin klub katër herë më shumë se secili prej trajnerëve aktual në Premier League.

Regjimi i 68-vjeçarit ka nisur në vitin 1996, kur ai erdhi nga japonezët e Nagoya Grampus Eight për të zëvendësuar Bruce Rioch dhe largimi i tij shënon fundin e një “epoke” për Arsenal dhe Premier League.

Wenger largonin me etiketën e trajnerit që ka më shumë ndeshje në Premier League, teksa në takimin e fundit të vitit 2017 ku Arsenal barazoi 1-1 ndaj WBA ai theu rekordin e Ferguson dhe aktualisht ka 823 ndeshje në elitën e futbollit anglez. 1228 në të gjitha veprimtaritë.

Nga këto ndeshje, Wenger ka fituar 473 ndeshje, ka barazuar 199 dhe ka humbur 151. Përqindja e fitores është 57.5%.

Francezi e ka vënë rekordin në Kupën e Anglisë, e mirënjohura “FA Cup”, veprimtaria më e vjetër në botë, të cilën e ka fituar shtatë herë, më shumë se kushdo tjetër.

Në total, Wenger ka fituar tre herë titullin në Premier, shtatë herë Kupën e Anglisë, shtatë herë Superkupën e Anglisë dhe nuk ka fituar asnjëherë trofe në Europë.

Golashënuesi më i mirë nën urdhrat e Wenger ka qenë Thierry Henry me 228 gola. Francezi është golashënuesi më i mirë i historisë së klubit.

Robin van Persie është i dytë me 132 gola, përpara se të shkonte te Manchester United, ndërsa Theo Walcott (108), Olivier Giroud (105) dhe Dennis Bergkamp (102) kompletojnë listën e pesë golashënuesve më të mirë.

Asnjë nga futbollistët aktual të Arsenal nuk është në listën e dhjetë golashënuesve më të mirë të klubit, pasi Alexis Sanchez, autor i 80 golave, kaloi te Manchester United gjatë janarit të kaluar.

Wenger ka qëndruar për 21 vite dhe gjashtë muaj si trajner i Arsenal, i dytë në renditjen e jetëgjatëve është Eddie Howe i Bournemouth me pesë vite e gjashtë muaj.

Wenger shkëlqeu në dekadën e parë me 11 trofe të fituar në 10 vitet e para, ai e fitoi tre herë titullin në harkun e tetë viteve, por prej 11 vitesh e gjashtë muaj “topçinjtë” nuk e kanë marrë më trofeun prestigjioz.

Njëri mes tre titujve, ai i sezonit 2003-04, ka hyrë në histori sepse Arsenal nuk humbi asnjë ndeshje, duke arritur rekordin e vënë nga Preston North End në vitin jashtëzakonisht të largët 1988.

Lista e gjatë e ekipeve me të cilat është ndeshur Wenger është një tregues i qartë se sa gjatë ai ka drejtuar ekipin londinez.

Në total, Wenger është përballur me 124 ekipe dhe vetëm pesë prej tyre nuk i ka mposhtur kurrë: Fiorentina, PAOK Selanik, Paris Saint-Germain, Port Vale dhe Rotherham.

Kundërshtari me të cilin Wenger është ndeshur më shumë ka qenë Chelsea, me 62 ndeshje kundër “bluve”, ndaj të cilëve ka arritur 23 fitore, 18 barazime dhe 21 humbje.

Më pas renditja e kundërshtarëve vazhdon me Manchester United dhe Liverpool, ndërsa ai ka fituar 44.2% të ndeshjeve derbi në veri të kryeqytetit kundër Tottenham.

Më shumë nga Premier League