Kategoria Superiore

Shitja e Vllaznisë, Fushaj: Dua të blej 60-75% të aksioneve

Vllaznia ka nisur fazën përgatitore në Ulqin të Malit të Zi, aty ku do të qëndrojë për disa ditë. Gjatë qëndrimit në Ulqin skuadra shkodrane do të testojë skuadrën dhe lojtarët e rinj të afruar në ekip, me qëllim nisjen sa më mirë të sezonit. Ndërkohë në media vijon të mbetet në krye të lajmeve çështja e pronësisë së klubit. Ndonëse bashkia e Shkodrës miratoi buxhetin për klubin për vitin 2018, shitja e një pjese të aksioneve mbetet një mundësi e pa shmangshme për të ndihmuar ekipin për të dalë nga gjendja ku ndodhet.

Valter Fushaj është emri kryesor që ka dalë në skenë për blerjen e një pjese të aksioneve të klubit duke bërë publike edhe ofertën e tij. Në disa media sportive qarkullon lajmi se ish-presidenti Fushaj ka arritur një akord dhe “de-fakto” ka nisur punën me klubin. TeleSport kontaktoi drejtpërdrejt me Z.Valer Fushaj dhe duke e pyetur nëse ka një marrëveshje me klubin.

Në përgjigjen e tij të shkurtër, Z.Fushaj u shpreh se: “Siç e kam deklaruar, unë jam i interesuar të blej 60-75% të aksioneve”- ka thënë për TeleSport Z.Fushaj. Nga ana tjetër bashkia Shkodër është e pa qartë në deklaratat e saj në lidhje me shitjen e aksioneve të klubit, ku shpeshmazi si ngërç është bërë çështja e vlerësimit të aksioneve. Përtej kësaj, mungesa e një menaxhimi të mirë ka sjellë jo pak probleme për ekipin shkodran, që e mbylli pjesën e parë të kampionatit në vendin e parafundit në renditje.

Më shumë nga Kategoria Superiore