• “Show” i Takajt me Gjicin, “nis” ndeshja Skënderbeu-Kukësi

    Publikuar: 15 Mar 2:25

    Në kohën kur Genc Tomorri, drejtori i përgjithshëm i Partizanit, nuk po i kursente kritikat për punën e FSHF-së, në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme, dy president të tjerë, rivalë për titull, kanë marrë vëmendjen e kamerave televizive. Një “eklipsim” i “demave të kuq”, kësisoji, por mbetet të shihet se çfarë do të prodhojë fusha e lojës kësaj fundjave, por edhe në fund të kampionatit. Do të mbetet titulli sërish në Korçë, do të shkojë për herë të parë në histori te Kukësi, apo do të rikthehet pas 24 vitesh te Partizani, kjo është një pikëpyetje, që do ta mbajë të ngërthyer fort dhe ethshëm garën deri në fund të majit. “Stacioni” i radhës, java e 26-të, mund të kthjellojë sadopak situatën në këtë drejtim, sepse do të “përplasin brirët” Takaj me Gjicin. Ata e kanë nisur ndeshjen e tyre që sot, me deklaratat e thumbimet para kamerës së “Supersport”, pak përetj sallës ku zhvillohej Asambleja e FSHF-së. Ja çfarë deklaruan ata të dy, në kundërpërgjigje të njëri-tjetrit, teksa në diskutim ishte sfida Skënderbeu-Kukësi dhe titulli kampion.

    Ardian Takaj: Finale luhet për vendin e parë. Jemi dy ekipe që rivalizojnë prej vitesh. Këtë fundjavë mund të ndahet vendi i pare, por nuk është ndeshja që vendos titullin. Më pëlqen, për hir të garës, ta quajmë finale e parakohëshme, por nuk është e tillë, është një ndeshje si gjithë të tjerat. Batutat i përdorim gjithë kohës, për ta ç’tensionuar situatën, pasi jemi edhe miq. Duhet ta përjetojmë si sport.
    Safet Gjici: Presidenti Takaj ka thënë që deri në shkurt i mbajnë gjunjët Kukësit, por e kemi kaluar shkurtin dhe jemi përpara e në krye. Futbolli prandaj është i bukur, prej konkurencës, por do të dalim të fituar.

    Ardian Takaj: Për Kukësin, humbja minimale në Korçë është sukses.
    Safet Gjici: Nuk pranoj as barazimin në Korçë, sepse kemi krijuar rekord. Ne jemi ekip rekordesh. Takaj nuk e ka më forcën e para 2 apo 3 viteve. Do të jetë ndeshje e bukur dhe Kukësi do të shkojë për të marrë fitoren. Ky është viti i Kukësit për t’i shkuar deri në fund titullit kampion. Kjo ndeshje nuk nxjerr njeri kampion, është një sfidë si gjithë të tjerat. Ndryshon nga fakti se përballen dy pretendentët. Takaj, edhe pse ka fituar 6 tituj, nuk ngopet. Kolegu im kërkon gjithmonë më shumë, ka kërkesë ndaj ekipit dhe vetes, e bën mirë këtë, por titulli do të shkojë drejt Rrugës së Kombit.

    Ardian Takaj: I qëndroj deklaratës se është rrugë e gjatë. Nëse shkurton diferencën, mund t’ia lejoj.
    Safet Gjici: Ne kemi shkuar me titullin deri te tuneli, aty nuk e kemi problem.
    Ardian Takaj: Më vjen mirë që futbolli të funksionojë kështu, si sport. Ne jemi ata, që japim mesazhe edhe për tifozeritë, që të sillen si duhet. E rëndësishme është të mos cënohet gara, pjesa tjetër të funksionojë.


    Lexo postimet e tjera