Kampionati Shqiptar

Shpërblim te Vllaznia? Futbollistët kuqeblu habiten me lajmin

Ashtu si javën e kaluar, edhe këtë herë duket se situata në kampin shkodran nuk është e qetë.

Ashtu si javën e kaluar, edhe këtë herë duket se situata në kampin shkodran nuk është e qetë. Paksa e çuditshme, por lajme dhe thashetheme të ndryshme, që qarkullojnë në media, apo në opinionin sportiv, kanë prishur qetësinë te pjesëtarët e Vllaznisë. Edhe ditën e sotme ka qenë e njëjta situatë. Në një nga të përditshmet sportive shkruhej se në analizën e djeshme të kuqebluve, futbollistëve u është bërë e ditur edhe shuma që do të përfitonin si shpërblim për barazimin ndaj Partizanit, shumë që gjoja ishte 500 euro për secilin futbollist. Madje shkruhej se këto shpërblime ishin shpërndarë menjëherë. Natyrisht, drejtuesit e klubit dhe pjesëtarët e stafit teknik janë parë të irrituar paraditen e sotme, sepse shumë të pavërteta po thuhen e shkruhen rreth Vllaznisë.

Edhe vetë futbollistët, para stërvitjes së sotme, kanë bërë humor me njëri- tjetrin, duke pyetur nëse vërtetë i kishin marrë apo jo këto shpërblime, sepse vetë ata nuk dinin gjë. Klubi nuk ka dalë në asnjë reagim për mediat në lidhje me këtë situate, megjithatë kuqeblutë janë të mërzitur me çfarë po ndodh. Javën e kaluar u përfol për një shpërblim, që gjoja Partizani kishte akorduar që Vllaznia të merrte pikë në Kukës, por në fakt asgjë nuk rezultoi e vërtetë. Këtë herë përsëritet historia, por në kahun tjetër. Dhe, për më tepër, thuhen shuma fikse, që paska përfituar secili futbollist. Natyrisht, klubi “Vllaznia” ka akorduar herë pas here shpërblime, por jo në dy ndeshjet e fundit. Mbase mund ta bëjë këtë në rast se do të merren pikë këtë fundjavë, në Vlorë. Atëherë, çfarë duhet shkruar sërish, se ka dhënë premio Laçi, Tirana apo Teuta, që janë rivalët e Flamurtarit?!

Më shumë nga Kampionati Shqiptar