Futboll

Shpërthejnë tifozët bardheblu, marrin në mbrojtje Tiranën dhe akuzojnë gjykimin

I kanë shpallur “luftë” drejtuesve mediokër të klubit dhe futbollistëve “kontrataxhinjë” duke bojkotuar ndjekjen e ndeshjeve në stadiumin “Selman Stërmasi” që tashmë konsiderohet si tempulli bardheblu i dorëzuar nga paria në duart e rivalit historik, por mbeten sërish avokatët dhe mbrojtja më e mirë e skuadrës së Tiranës. E kush mund të jenë tjetër, veçse tifozët bardheblu të cilët derbin e mbrëmjes së sotme ndaj Partizanit e kanë ndjekur nga sheshi i Xhamllikut, në një atmosferë të zjarrtë sikurse vetëm “Tirona Fanatics” dhe grupimet e tjera të tifozerisë së ekipit 24 herë kampion dinë të bëjnë. Por jo vetëm suport me koreografi, flakadanë e atmosferë.

Image may contain: one or more people and stadium

Fotot e dy episodeve më të diskutuara të ndeshjes.

Tifozët e Tiranës kanë nxituar t’i dalin për zot Tiranës, kur në përfundim të ndeshjes Partizani ka fituar me rezultatin 2-1 derbin, por me të paktën dy episode shumë të dyshimta. Kanë qenë pikërisht tifozët bardheblu që kanë nxituar të denoncojnë nëpër rrjetet sociale fotot që dokumentojnë pozicionin e dyshimtë jashtë loje të Malotës në rastin e golit të parë të të kuqve, sikurse edhe të prekjes së topit me dorë në zonë nga Trashi në minutën e 25’, por në të dy rastet, arbitri ka vijuar lojën për të akorduar një gol të dyshimtë, sikurse dhe për të mohuar një 11-metërsh të pretenduar. Dy episode të cilat mund të kenë ndikuar në rezultatin final të derbit.

Më shumë nga Futboll