• Shpërthen Cungu: Nuk kam çmim, askush nuk më blen dot!

    Publikuar: 15 Apr 3:00

    Zhurma e krijuar pas ndeshjes me Kukësin, apo dhe deklaratat pas saj, sigurisht që kanë dhënë ndikimin e vet te Vllaznia. Kjo gjë nuk u ka pëlqyer pjesëtarëve të saj, sepse u vu në diskutim karakteri i futbollistëve dhe i trajnerëve. Jo më kot, Armando Cungu vazhdon të jetë tejet i irrituar me deklaratat që ka dëgjuar, ndaj “betohet” në ndershmërinë e tij, duke thënë që nuk shitet dhe as blihet nga askush, sepse nuk ka çmim për ta bërë këtë gjë: “Jam munduar të jem i qetë gjatë gjithë këtyre ditëve dhe, po ashtu, t’i mbaj futbollistët e mi larg kësaj zhurme. Por, dua t’u përgjigjem të gjithë atyre që kanë tentuar të lakojnë emrin e Armando Cungut dhe të Vllaznisë për “allishverishe” në futboll: ju garantoj se çdo gjë e kemi marrë me djersë në fushën e lojës dhe me pastërtinë më të madhe. Për këtë, unë si trajner jam shumë krenar, ashtu si i gjithë klubi, për këta djem. E dyta, dua t’u bëj me dije të gjithëve se Armando Cungu nuk shitet dhe as blihet me asnjë çmim.

    Kjo, sepse unë nuk kam çmim dhe askush nuk është i zoti të më blejë. Këtë ta kenë të qartë të gjithë. E treta, ka zëra kryesisht me mentalitet provincial, prej të cilëve dëgjon çdo gjë. Kuptohet, jetojmë në Shqipëri dhe këtu gjithçka ndodh. Të jesh njeri, të jesh korrekt, të jesh profesionist, këtu quhet antivlerë dhe anasjelltas. Besoj se ne kemi të gjithë të drejtën e Zotit që të luajmë për dinjitetin tonë, për familjet tona, për fanellën tonë, për qytetin tonë. Këtë gjë ka bërë deri tani Vllaznia. Nëse do të kishim humbur, do të kishim qenë ekip i mirë dhe i ndershëm. Nëse kemi shkuar në Kukës për të marrë pikë, e kemi bërë për interesat tona, të klubit “Vllaznia”, sepse është një e drejtë morale ta kërkojmë një gjë të tillë. Na konsiderokan ekip, që paskemi aleanca me të tjerë… Gjëra absurde, teksa dua të garantoj çdo shkodran dhe çdo dashamirës të futbollit se Vllaznia nuk ka pazar me askënd. Këta njerëz duhet të maten mirë kur të flasin për Armando Cungun dhe për Vllazninë”.


    Lexo postimet e tjera