• Shpëtim Duro: Dështimi i Partizanit, i papranueshëm. Mbeti aty, ku e lashë unë

    Publikuar: 16 May 9:06

    I ka ardhur në shteg, si i thonë fjalës, dhe nuk e ka falur ish-mikun e tij, tashmë një “armik”, Sulejman Starovën. Thotë se i vjen keq për Partizanin, që ka mbetur aty ku e la ai, edhe pse ka investuar shumë. Shpëtim Duro dhe kuqezinjtë bregdetarë u kanë dhënë goditjen përfundimtare 15 herë kampionëve të vendit, për t’i nxjerrë jashtë garës për titull. Duke folur pas barazimit 1-1, Duro, një “dem i kuq” si futbollist dhe trajner, nuk i ka kursyer kritikat dhe ironitë për drejtuesit e Partizanit, që vetëm ankohen dhe nuk përqendrohen në futbollin e fushës së blertë:

    “Më vjen keq për Partizanin, por nuk është se e nxori Flamurtari nga lufta për titull. Partizani ka gabuar shumë, e nxori Vllaznia me barazimin në Shkodër, Kukësi në ndeshjen direkte, barazimi me Laçin dhe ndoshta kjo e jona ishte goditja e fundit, në një kohë që shpresat ishin shumë të pakta. Megjithatë, Partizani luftoi deri në momentet e fundit dhe respektoi ndeshjen e kampionatin. Por, që të jetë Partizani në vendin e tretë, një skuadër ku është investuar shumë, në të gjitha aspektet, në organikë, në financa, me përkrahjen e tifozërisë, kjo nuk shkon. Sigurisht, sidomos këtë vit e meritonte titullin kampion, por nuk e kanë administruar mirë garën për ta fituar këtë titull. Si shkoi loja? Këto ndeshje janë shumë të tensionuara dhe 1 pikë duket 6 pikë. Në pjesën e parë Partizani pati më shumë iniciativë, por nuk pati situata, na kapi të papërgatitur në një moment dhe e shfrytëzoi.

    Po e merrnim veten në fund të pjesës së parë dhe në pushim i thashë ekipit që të kishin besim se do ta kalonim atë situatë. Në pjesën e dytë dhamë maksimumin, mund të fitonim, por dhe mund të humbnim. Ishte ndeshje e hapur, por morëm një pikë me shumë vlera në këto momente. Ankesat e Starovës në lidhje me gjykimin? Këto fjalë i dëgjoj në çdo ndeshje për Partizanin. Kjo është e keqja e tyre më e madhe, sepse nuk merren me lojën në fushë, ndërkohë që kanë një organikë shumë cilësore dhe një tifozëri të mrekullueshme. Merren gjithnjë me gjëra sekondare. Çuditem për sot, nuk e di ku është arsyeja që mund të jetë vjedhur Partizani në Vlorë, por nuk u hyj këtyre diskutimeve, sepse ata nuk e humbën këtu titullin.

    E kanë humbur në ndeshjet me Vllazninë, me Kukësin, me Laçin. Fituan vetëm një ndeshje të lehtë me Teutën në 4-5 ndeshjet e fundit, ndaj shikohet çfarë finishi kanë. Të gjitha këto ndeshje sollën situatën që Partizanin e parakaluan Kukësi dhe Skënderbeu. Ajo që më vjen keq është se Partizani, pas tri sezonesh, mbetet në pozitat ku e kam lënë unë. Para dy sezonesh isha trajner i tij dhe e ktheva në Europë, pas shumë kohësh. Tani, pas dy vjetësh, me organikë shumë të pasur, me trajnerë të ndryshuar, mbetën sërish në objektivat e pjesëmarrjes në Kupat e Europës. Më vjen mirë që në skuadrën e Partizanit janë shumë lojtarë, që i kam afruar unë aty, por më vjen keq që dështon sërish, në të dyja kompeticionet. Për mua kjo është e papranueshme”.


    Lexo postimet e tjera