Connect with us

La Liga

“Shpresoj të shënoj dhe t’i dhuroj titullin Barçës”

Lufta për titull në la Liga do të mbyllet këtë fundjavë. Pas fitores 4-1 të marrë kundër Celta Vigo, Real Madrid do të paraqitet në javën e 38-të të kampionatit me një avantazh prej tri pikësh ndaj Barcelona-s së vendit të dytë, me këta të fundit që do ta fitonin titullin nëse do ta përfundonin kampionatin me pikë të barabarta me madrilenët. Skuadrës së Zidane do t’i mjaftojë një pikë në fushën e Malaga-s për t’u kthyer te suksesi në La Liga. Në historinë e kampionatit spanjoll ka pasur shumë raste me trofeun që është fituar në ditën e fundit të sezonit. Ka qenë pikërisht Barcelona skuadra që e ka fituar për herë të fundit titullin në javën e 38-të. Katalanasit kanë rrezikuar të shpërdorojnë një avantazh të madh, por në fund kanë fituar 3-0 ndaj Granada-s në javën e fundit duke siguruar trofeun e La Liga-s.

Ndërkohë, një nga lojtarët e Malaga që do të jetë në fushë këtë fundjavë kundër Real Madrid është një ish-lojtar i Barcelona-s. Sandro Ramirez ka qenë një nga më të mirët për ekipin e tij në këtë sezon. Me katalanasit ai ka luajtur 30 ndeshje në dy sezone duke shënuar 7 gola. Në këtë sezon, ai ka realizuar 16 gola në 30 ndeshje. Madje, ai ka realizuar një nga golat në fitoren 2-0 të marrë nga Malaga kundër Barcelona-s. Tani, ai synon t’i bëjë një dhuraë ish-skuadrës së tij duke shënuar kundër Real Madrid, me shpresën që ai gol do t’i dorëzonte titullin Messi-t me shokë. “Shpresoj të shënoj dhe t’i jap titullin Barçës. Ka qenë një moment i jashtëzakonshëm, veçanërisht për prindërit e mi, kur Barcelona më kërkoi pas shtatë vitesh të kaluar te las Palmas. Kisha mundësinë të shkoja në Madrid, por doja më shumë Barçën, sepse kam qenë gjithmonë një tifoz i Barçës. Ashtu si babai im”, ka thënë Ramirez.

Më shumë nga La Liga